Sarajevë, 22 shkurt – Kryetari i SDA Maqedoni, Xhelal Hoxhiq mori pjesë në konferencën rajonale “Ndryshimet gjeopolitike dhe pozita e boshnjakëve në Ballkanin Perëndimor”, e organizuar nga qendra për hulumtime gjeopolitike Geopol, në Sarajevë, njoftojnë nga partia.
Konferencën e hapi Admir Lisica, drejtor i “Geopol”, ndërsa u moderua nga Larisa Omerçiç, gazetare e portalit “Odgovor!”.
Panelistë në konferencën rajonale ishin: Xhelal Hoxhiq, kryetar i SDA Maqedoni; Kenana Strujiç-Harbiç, deputete në Kuvendin e Malit të Zi; Mirsad Nurkoviç, nënkryetar i Kuvendit të Malit të Zi; si dhe Ahmedin Shkrijel, deputet në Kuvendin e Serbisë.
Në fjalën e tij, z. Hoxhiq foli për gjendjen dhe sfidat me të cilat përballen boshnjakët në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon.
“Maqedonia e Veriut dhe Bosnja dhe Hercegovina kanë interes të përbashkët strategjik – të jenë pjesë e NATO-s dhe BE-së. Boshnjakët në Maqedoninë e Veriut janë popull i integruar. Mund të gjeni boshnjakë të suksesshëm në çdo sferë të jetës shoqërore dhe zhvillimit në vend. Fatkeqësisht, një sfidë e madhe në këtë moment është politika e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, e cila kundërshton rrugën evropiane të shtetit, nën ndikimin e madh negativ të liderëve autoritarë Aleksandar Vuçiq dhe Viktor Orbán. Ndikimi negativ i ‘botës serbe’ mbi Maqedoninë e Veriut është vërejtur edhe në raportin evropian për progresin e vendit”, deklaroi Xhelal Hoxhiq, kryetar i SDA Maqedoni.
