Xi në Phenian për bisedime me Kim Jong Un mbi bashkëpunimin dhe sigurinë në rajon

Nga D V
957 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Pehinian, 08 qershor, Zhurnal.mk – Presidenti kinez, Xi Jinping, mbërriti sot në Korenë e Veriut për një vizitë zyrtare të rrallë, duke riafirmuar marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve në një periudhë tensionesh të larta ndërkombëtare.

Në mbërritjen e tij në Phenian, Xi u prit nga lideri koreanoverior Kim Jong Un dhe bashkëshortja e tij Ri Sol-ju, ndërsa ceremonia u shoqërua me nderime ushtarake, flamuj të të dy vendeve dhe pankarta që lavdëronin miqësinë tradicionale kino-verikoreane.

Vizita është e para e Xi Jinping në Korenë e Veriut që nga viti 2019 dhe zhvillohet pasi ai priti në Pekin presidentin amerikan Donald Trump dhe presidentin rus Vladimir Putin. Kina mbetet partneri më i madh tregtar dhe mbështetësi kryesor ekonomik i Koresë së Veriut, e cila prej vitesh përballet me sanksione ndërkombëtare për shkak të programeve të saj bërthamore dhe raketore.

Në një artikull të botuar në gazetën zyrtare verikoreane “Rodong Sinmun”, Xi theksoi se miqësia mes Kinës dhe Koresë së Veriut është “e pathyeshme”, pavarësisht ndryshimeve në situatën ndërkombëtare. Ai u zotua për thellimin e bashkëpunimit dhe koordinimit mes dy vendeve, duke nënvizuar rëndësinë strategjike të marrëdhënieve dypalëshe për stabilitetin rajonal.

Vizita vjen në një kohë kur bisedimet për programin bërthamor të Koresë së Veriut me Shtetet e Bashkuara  të Amerikës mbeten të bllokuara. Edhe pse Uashingtoni dhe Pekini kanë deklaruar se mbështesin denuklearizimin e Gadishullit Korean, zyrtarë verikoreanë kanë përsëritur se programi bërthamor i vendit nuk është i negociueshëm. Motra e presidnetit Kim Jong Un deklaroi së fundmi se armët bërthamore përbëjnë “një vijë pa kthim” për Phenianin.

Analistët vlerësojnë se Kina po i kushton më shumë rëndësi ruajtjes së stabilitetit në kufijtë e saj sesa ushtrimit të presionit ndaj Koresë së Veriut për heqjen dorë nga arsenali bërthamor. Sipas tyre, Pekini e konsideron Phenianin një shtet tampon të rëndësishëm përballë pranisë ushtarake amerikane në rajon dhe dëshiron të ruajë ndikimin e tij në vend, veçanërisht në një kohë kur marrëdhëniet mes Koresë së Veriut dhe Rusisë janë forcuar ndjeshëm.

Gjatë vizitës pritet që Xi Jinping dhe Kim Jong Un të diskutojnë për bashkëpunimin ekonomik, zhvillimet e sigurisë rajonale dhe koordinimin diplomatik. Ekspertët nuk presin përparime të rëndësishme në çështjen bërthamore, por e shohin takimin si një sinjal të qartë se Pekini dhe Pheniani synojnë të forcojnë partneritetin e tyre strategjik në kushtet e një mjedisi ndërkombëtar gjithnjë e më të ndërlikuar.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër