Shkup, 25 gusht – Në zgjedhjet lokale secili që dëshiron të kandidojë për kryetar komune ose këshilltar në zgjedhjet lokale, do të duhet t’i grumbullojë vetëm dy nënshkrime. Kjo zgjidhje jo vetëm që kërcënon të krijojë kaos në fletëvotime, por do të rezultojë edhe në rritje të kostove zgjedhore për shkak të rritjes së numrit të kandidatëve, shkruan “Zhurnal.mk”.
Pas vendimit të fundit që gjithsecili ka të drejtë të kandidojë për kryetar komune ose këshilltarë vetëm nëse i ka dy nënshkrime, duket se frika për kaos ka filluar të rritet tek partitë politike, tek organet kompetente dhe te Komisioni shtetëror zgjedhor. Nëse ka një numër të madh të kandidatëve, listat zgjedhore do të jenë shumë të gjata dhe në këtë formë do të bëhen shumë keqkuptime edhe në fazën e votimit, edhe në fazën e numërimit por edhe në fazën e transportit.
Afati i fundit i dorëzimit të kandidaturave është më 13 shtator dhe pikërisht atëherë do të shohim sa kandidatë do të regjistrohen, sa do t’i plotësojnë kushtet, sa do të konfirmohen. Aktualisht duhet të rregullohet dukja, forma dhe përmbajtja e fletëvotimit me një vendim, i cili duhet të përshtatet sipas nevojës për të siguruar të drejtat e të gjithëve, shkruan “Zhurnal.mk”.
Është e mundur që procesi zgjedhor të bëhet më i kushtueshëm, por e drejta për të marrë pjesë në zgjedhje është e garantuar dhe gjithsecilit duhet t’i plotësohen dëshirat. Pra shkurt e shqip, ne jemi ekspertë për të ngatërruar punët dhe për të paguar shtrenjtë “budallallëqet” tona! Njëherë sjellim rregullore absurde që s’ka askund në botë, dhe pastaj i paguajmë shtrenjtë ato.
Çështja e nënshkrimeve nuk ishte e panjohur dhe nuk u ngrit tani pasi u shpallën zgjedhjet, ajo ishte e njohur që në maj, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Në momentin kur ekziston e drejta e garantuar me ligj për të marrë pjesë nga një grup votuesish, KSHZ-ja nuk mund ta mohojë pjesëmarrjen e kësaj kategorie pjesëmarrësish në procesin zgjedhor dhe ai proces duhet të vazhdojë.
Fatkeqësisht vështirësinë më të madhe në këtë shtet e krijon Kodi Zgjedhor, i cili është ndryshuar dhe plotësuar më shumë se 30 herë që nga viti 2006, por ka shumë paqartësi, shumë pasaktësi që krijojnë probleme ligjore, hapin çështje ligjore dhe krijojnë sfida që duhet të kapërcehen në përputhje me ligjshmërinë, transparencën dhe vendosjen e barabartë të rregullave të barabarta të lojës për të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje.
Një Kod Zgjedhor krejtësisht i ri me rregulla zgjedhore më të përcaktuara saktësisht është i nevojshëm. Kodi Zgjedhor nuk mbulon vetëm punën e organeve zgjedhore, por edhe financimin e partive, fushatave dhe medias, prandaj duhet të merret në konsideratë metoda e financimit që të përkthehet në një kod krejtësisht të veçantë.
Për të shmangur grackat ligjore, disa nga të pavarurit kanë filluar procesin e grupimit në parti politike, por disa kanë njoftuar se do të kandidojnë në zgjedhje si kandidatë jopartiakë.
Partitë politike me këtë veprim nga njëra anë po arrijnë që të shmangin të gjithë profiterët e zgjedhjeve. Nëse më parë secili kryetar fshati ose një kryefamiljar përfitonte nga zgjedhjet duke thënë se ka kaq vota që mund t’i sigurojë, me këtë formë i jepet mudësia që ai të testojë vetveten. Pra i thuhet që mund të kandidosh si i pavarur dhe trego sa vota mund të grumbullosh. Pastaj në rrethin e dytë, mund të bëhen kalkulime dhe marrëveshje të ndryshme.
Në një formë ky proces zgjedhor do të jetë ndër më të çuditshmit sepse nuk ka favorizime, por ka kalkulime të cilat mund të kushtojnë shtrenjtë. Në këtë formë mund të demaskohen shumë kandidatë për kryetar, për këshilltarë por edhe shumë individë të “pavarur”. Sido që të jetë, çdo gjë do e paguajmë nga xhepi ynë, dhe në fund zhgënjimi do të jetë për të gjithë ne. Duke u munduar të bëhemi më tepër demokratë, në këtë formë po rrënojmë çdo vlerë të demokracisë!, shkruan “Zhurnal.mk”.
