Zgjerimi i kërkesës së brendshme do të jetë një përparësi kryesore e politikës ekonomike të Kinës gjatë vitit 2026, bëri të ditur një zyrtar nga Zyra e Komitetit Qendror për Çështjet Financiare dhe Ekonomike.
Do të zbatohen politika për të nxitur konsumin si nga ana e ofertës, ashtu edhe e kërkesës, duke marrë parasysh ndryshimet strukturore në modelet e konsumit të vendit, tha zyrtari për agjencinë e lajmeve “Xinhua” dhe media të tjera në një intervistë mbi parimet drejtuese të Konferencës Qendrore të Punës Ekonomike që u zhvillua javën e kaluar në Pekin.
Sipas zyrtarit, do të bëhen përpjekje gjithashtu për të stabilizuar dhe për të ndryshuar prirjen e rënies për sa u përket investimeve, me qëllim përmirësimin e jetesës së njerëzve dhe forcimin e hovit të rritjes afatgjate.
“Duke bashkërenduar investimet e konsumin dhe duke krijuar sinergji midis qeverisë e tregut, ka kushte të mjaftueshme për të arritur rritjen e vazhdueshme të kërkesës së brendshme vitin e ardhshëm,” tha ai, duke shtuar se sivjet parashikohet që treguesit kryesorë ekonomikë të Kinës t’i plotësojnë pritshmëritë dhe ekonomia të rritet me rreth 5 për qind, duke arritur afërsisht 140 trilionë juanë (rreth 19.83 trilionë dollarë amerikanë), gjë që do ta mbajë Kinën ndër ekonomitë kryesore me rritjen më të shpejtë në botë.
Për të ardhmen, zyrtari u shpreh që, pavarësisht sfidave, perspektivat e ekonomisë kineze mbeten të mira.
Në lidhje me tregun e pasurive të paluajtshme, ai vuri në dukje që ende ekziston hapësirë e mjaftueshme për rritjen me cilësi të lartë të këtij sektori në vitin e ardhshëm, duke u mbështetur te kërkesa e fortë si nga blerësit e shtëpive për herë të parë, ashtu edhe ata që kërkojnë përmirësime në kushtet e banimit.
Do të bëhen përpjekje për të stabilizuar tregun nga ana e ofertës dhe e kërkesës, për të promovuar në mënyrë aktive transformimin dhe zhvillimin e ndërmarrjeve të pasurive të paluajtshme dhe për të përshpejtuar krijimin e një modeli të ri për zhvillimin e sektorit të pasurive të paluajtshme, theksoi zyrtari.

