Shkup, 5 shtator – Para 16 vitesh në një realitet mediatik që po përjetonte ndryshime të mëdha në skenë u shfaq Agjencia e Lajmeve Zhurnal. Ajo nisi si një gazetë e shtypit me vizionin e qartë për të qenë burim i besueshëm informacioni për të ndriçuar zhvillimet politike, ekonomike, kulturore dhe shoqërore, si dhe për të qenë pranë lexuesve me profesionalizëm dhe integritet. Por, me zhvillimin e hovshëm teknologjik ishte e natyrës të kalohej nga shtypi në arenën onljan, sa më afër lexuesit. Prandaj, falë lexuesve tanë besnik sot me krenari kremtojmë 16 vjetorin e themelimit të dritares sonë stoike mediatike, që nuk pati fortunë e as fuqi që ta ndalojë jehonën e këtij zëri që filloi dhe nuk u ndalë asnjëherë.
Rrugëtimi i Zhurnal-it –
Zhurnal pas një pune të gjatë, serioze me përkushtim e përgjegjësi të lartë lindi si gazetë e shtypit që qëndronte në duart e deputetëve, ministrave, profesorëve, studentëve, e me të dashurëve tanë lexuesve të rregullt, qytetarëve me integritet, ishte burimi parësor i informimit. Zhurnal që nga fillimi ka pasur vizionin e qartë për të qenë burim i besueshëm informacioni e për t’i dhënë dritë dhe thjeshtësi zhvillimeve politike, ekonomike, kulturore dhe shoqërore, si dhe për të qenë pranë lexuesve pa asnjë kusht.
Me kalimin e kohës teknologjia ndryshoi mënyrën e të menduarit dhe të informimit. Shpejtësia e zhvillimeve në botën digjitale nuk mund të anashkalohej. Zhurnal, duke e ndjerë pulsin e kohës bëri një hap të guximshëm nga një gazetë e shtypit u shndërrua në një medium onlajn, duke e vendosur lajmin në duart e publikut në kohë reale, kudo dhe në çdo moment. Ky transformim nuk ishte vetëm një përshtatje ndaj epokës së re por edhe dëshmi se Zhurnal di të ecë në hap me kohën dhe të ruajë misionin e vet informues.
Në një shoqëri demokratike, media është oksigjeni i lirisë. Pa një media të lirë dhe të përgjegjshme qytetari mbetet i verbër, ndërsa demokracia e cunguar. Zhurnal për 16 vite ka qenë zë kritik, zë reflektues dhe zë i pandalur, duke sjellë jo vetëm lajmin por edhe analizën, jo vetëm informacionin por edhe mendimin. Zhurnal ka qenë pjesë e pandashme e procesit të demokratizimit të shoqërisë dhe forcimit të institucioneve duke ngritur çështje dhe duke hapur debate të nevojshme.
Por mbi të gjitha, ky rrugëtim nuk do të kishte kuptim pa lexuesit tanë besnikë. Ju, që për 16 vite keni ndjekur, lexuar dhe shpërndarë fjalën tonë, keni qenë shtytja më e madhe dhe arsyeja e ekzistencës sonë. Në çdo klikim, në çdo faqe të hapur, ne kemi ndjerë energjinë dhe motivimin për të mos u ndalur kurrë.
Sot, në këtë përvjetor të rëndësishëm ne e themi me krenari Zhurnal është dhe do të mbetet një zë i pandalshëm. Një zë që nuk është përkulur para sfidave, një zë që ka zgjedhur rrugën e së vërtetës dhe që do të vazhdojë të ecë përpara, me të njëjtin përkushtim e me të njëjtin mision.
Faleminderit që keni qenë dhe mbeteni pjesë e këtij rrugëtimi! Vazhdojmë bashkërisht drejt dekadave të reja!