Ziadin Sela dhe Ilire Dauti takime me mërgatën në Zvicër: Është koha për aktivizimin e diasporës

Nga Xh M
444 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Zurich, 28 mars – Kryetari i njërit nga fraksionet e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, së bashku me deputeten Ilire Dauti, zhvilluan një takim me diasporën shqiptare në Cyrih, ku u pritën nga qindra bashkëatdhetarë në një organizim të Shoqatës Kulturore “Lëvizja Shqiptare” në Zvicër.

Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe me entuziazëm, ku u diskutuan çështje me rëndësi kombëtare dhe tema që prekin drejtpërdrejt shqiptarët si në vendlindje ashtu edhe në diasporë. Pjesëmarrësit shprehën mbështetje për angazhimin politik dhe institucional të ASH-së, veçanërisht në mbrojtje të të drejtave të diasporës, përfshirë shqetësimet për reduktimin e përfaqësimit dhe pjesëmarrjes në buxhet dhe investime publike.

Mërgimtarët gjithashtu ngritën shqetësime për situatën politike në Maqedonia e Veriut, duke theksuar nevojën për organizim më të madh politik të diasporës dhe përfshirjen e saj në proceset vendimmarrëse.

Nga ana e tyre, Sela dhe Dauti vlerësuan kontributin e diasporës ndër dekada për vendlindjen, duke nënvizuar se tashmë është momenti për një angazhim më aktiv politik. Në këtë drejtim, Sela theksoi qëndrimin e ASH-së për mundësimin e votimit të diasporës përmes formave alternative, si votimi elektronik ose me postë, në zgjedhjet në vend.

Në përmbyllje të takimit, u theksua se bashkëpunimi ndërmjet subjektit politik dhe shoqatave në diasporë do të thellohet më tej, me synimin për të forcuar lidhjet dhe për të avancuar interesat e shqiptarëve kudo që ndodhen.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër