Shkup, 21 korrik, Zhurnal.mk – Zlatko Perinski është emëruar ushtrues detyre drejtor i Fondit për Sigurim Shëndetësor të Maqedonisë, vendim i miratuar në seancën e sotme të Qeverisë.
Në këtë funksion ai vjen me propozim të ministrit të shëndetësisë, Sasho Klekovski, i cili më herët drejtonte Fondin dhe së fundmi u zgjodh ministër i shëndetësisë.
Perinski deri tani ushtronte detyrën e ministrit të vetëqeverisjes lokale, ndërsa pas rindërtimit të Qeverisë në vend të tij u emërua Ivan Stoiljkovikj.
Ai është magjistër i menaxhimit të burimeve njerëzore dhe ka përvojë shumëvjeçare në sektorin publik. Para funksionit ministror, ka qenë drejtor i përgjithshëm i NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Shkup, ndërsa më herët ka drejtuar edhe Qendrën Sportive “Boris Trajkovski”.
