Shkup, 26 tetor Zhurnal.mk – Platforma „Studentaria“ ka regjistruar 717 ankesa të studentëve për probleme të përsëritura me ushqimin e subvencionuar, kushtet në konvikte, bursat, transportin dhe vlerësimin në fakultete.
Gjatë prezantimit të gjetjeve sot (26 tetor), platforma paralajmëroi se studentët përballen me pengesa administrative dhe mungesë të përgjigjeve në kohë nga institucionet, gjë që ua vështirëson realizimin e të drejtave të tyre.
Një nga problemet më të shpeshta të evidentuara është shuma e subvencionit për ushqimin e studentëve. Sipas platformës, shuma prej 140 denarësh në ditë nuk është rritur që nga viti 2023, ndonëse parashihet harmonizimi i saj me inflacionin. Ndërsa çmimet e ushqimeve rriten, kjo mbështetje financiare po e humb fuqinë blerëse.
Një pjesë e studentëve kanë mbetur pa këtë mbështetje për shkak se fakultetet nuk i kanë dorëzuar me kohë të dhënat në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Sipas ankesave të prezantuara, disa studentë janë detyruar të aplikojnë përsëri, edhe pse ndërprerja nuk ka ndodhur për fajin e tyre.
Probleme janë evidentuar edhe në konviktet studentore, ku ankesat lidhen me kushtet bazë të jetesës, përfshirë energjinë elektrike, ujin, ngrohjen dhe higjienën. „Studentaria“ kërkon gjithashtu më shumë transparencë gjatë pranimit të studentëve, përmes publikimit të pikëve të fituara nga kandidatët, në mënyrë që të mund të verifikohet se si shpërndahen vendet në konvikte.
Pasiguria financiare e studentëve thellohet edhe nga vonesat në pagesën e bursave, veçanërisht për studentët e ciklit të dytë të studimeve. Në njërin prej rasteve të raportuara, bursa është paguar vetëm në gusht, kur pjesa më e madhe e obligimeve akademike tashmë kishte përfunduar.
Nga platforma sqarojnë se në materialet e shqyrtuara nuk kanë gjetur një afat të përgjithshëm për çdo pagesë mujore, prandaj vonesat nuk i cilësojnë automatikisht si shkelje ligjore.
Shtrenjtimi i transportit ndërqytetës përbën një barrë shtesë për studentët që udhëtojnë drejt fakulteteve. Platforma vë në pah edhe qasjen e pabarabartë në transportin publik falas dhe kërkon që kjo mbështetje të ofrohet edhe në qytetet e tjera universitare të vendit.
Ankesat përfshijnë edhe provimet, kriteret e paqarta të vlerësimit, pyetjet që, sipas studentëve, nuk kanë qenë pjesë e materialit mësimor, si dhe dyshimet për favorizim. Platforma thekson se bëhet fjalë për ankesa të studentëve dhe jo për shkelje të vërtetuara në secilin rast veç e veç.
Ndër masat e propozuara janë përmirësimi i shkëmbimit të të dhënave ndërmjet fakulteteve dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, harmonizimi i subvencionit për ushqim me inflacionin, publikimi transparent i listave të renditjes për pranimin në konvikte dhe shpallja paraprake e kritereve të vlerësimit, të cilat duhet të zbatohen në mënyrë të njëtrajtshme.
Gjetjet e bazuara në 717 ankesat tregojnë se studentët kërkojnë funksionim më efikas të institucioneve, më shumë transparencë dhe realizim në kohë të të drejtave të tyre.
