Velkovski: Nuk po shfuqizohet shtylla e dytë pensionale, kontributi vazhdon të rregullohet me ligj

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 22 nëntor Zhurnal.mk – Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Gjoko Velkovski, hedh poshtë pretendimet se me propozimin për fshirjen e nenit 120, përkatësisht dispozitës që rregullon pagesën e 6 për qind të kontributit në shtyllën e dytë pensionale, po shfuqizohet kjo shtyllë pensionale.

Velkovski, në një deklaratë me shkrim, thekson se ndryshimet e propozuara në Ligjin për Sigurimin Pensional dhe Invalidor nuk parashikojnë as shfuqizimin e shtyllës së dytë pensionale dhe as ndërprerjen e kontributit që paguhet në të.

Sipas tij, bëhet fjalë për harmonizim ligjor dhe teknik të rregullativës.

“Me nenin 17 të Projektligjit, i publikuar në ENER, propozohet fshirja e nenit 120 të ligjit ekzistues, i cili rregullon shkallën e kontributit për shtyllën e dytë pensionale. Por, kjo nuk do të thotë se kontributi shfuqizohet apo se hiqet shtylla e dytë pensionale”, sqaron Velkovski.

Ai shton se rregullimi normativ i kësaj çështjeje transferohet në Ligjin për Kontributet e Detyrueshme Sociale, ku në mënyrë sistematike do të rregullohen çështjet që lidhen me kontributet e detyrueshme sociale.

“Pra, shtylla e dytë pensionale vazhdon të ekzistojë, ndërsa kontributi vazhdon të rregullohet me ligj. Bëhet fjalë për transferimin e dispozitës ligjore në një ligj tjetër dhe jo për shfuqizimin e shtyllës pensionale”, sqaron ministri Velkovski.

artikuj të ndërlidhura