Kuvendi i Kosovës po përballet me një ngërç institucional serioz, i cili ka bllokuar funksionimin normal të legjislativit dhe ka vënë në pikëpyetje përfaqësimin demokratik.
Mosmarrëveshjet ndërmjet partive politike dhe dështimi për të siguruar kuorumin e nevojshëm për mbledhjet plenare e kanë paralizuar punën e Kuvendit për një periudhë të zgjatur.
E të gjendur në këtë situatë Gjykata Kushtetuese ka dhënë afatin kohorë për 30 ditë për të dalur nga ky ngërç politik.
E në lidhje me këtë çështje në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Arbnor Sadiku.
Ai flet për skenarët e mundshëm që mund ta presin Kosovën nëse nuk konstituohet Kuvendit brenda 30 ditëve.

Sipas tij, deputetët do duhej të humbnin mandatet e tyre dhe vendi të shkonte në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.
“Në fakt, nëse brenda 30 ditësh nuk zgjidhet ngërçi institucional nga partitë politike në Kuvendin e Kosovës, deputetët do duhej të humbnin mandatet e tyre dhe vendi të shkonte në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare”, u shpreh ai.
Tutje, ai thekson që presidentja duhet të kërkojë informata shtesë nga Gjykata Kushtetuese për pasojat nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda 30 ditëve.
“Megjithatë, për këtë çështje nuk ka një sqarim të qartë nga Gjykata Kushtetuese, prandaj do duhej që presidentja ta pyeste edhe një herë vetë Gjykatën për sqarimin e kësaj pjese”, përfundoi Sadiku për “Bota sot”.
Kujtojmë që procesi ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.
Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, nuk ka arritur t’i sigurojë 61 votat e nevojshme në disa runde votimi për t’u zgjedhur në këtë post.
Dy parti parlamentare, PDK-ja dhe AAK-ja, e shohin Haxhiun si figurë përçarëse dhe kërkojnë nga Lëvizja Vetëvendosje të propozojë një emër tjetër për kryeparlamentar.
LDK-ja thotë se nuk do të mbështesë asnjë kandidat të Vetëvendosjes për këtë pozitë.

