I dërguari amerikan për Lindjen e Mesme, Jared Kushner, u takua sot në Jerusalem me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, në një kohë kur Uashingtoni po përpiqet të sigurojë mbajtjen e armëpushimit në Gaza pas lirimit të shumicës së pengjeve.
Armëpushimi mes Izraelit dhe lëvizjes palestineze Hamas, i cili hyri në fuqi më 10 tetor nën presion amerikan, ka lehtësuar ndjeshëm dhunën në Rripin e Gazës, ka lejuar lirimin e disa të burgosurve palestinezë dhe pothuajse të gjithë pengjeve izraelitë.
Zyra e kryeministrit Netanyahu konfirmoi sot takimin me Jared Kushner, i dërguar dhe dhëndër i presidentit amerikan Donald Trump, pa dhënë detaje mbi përmbajtjen e bisedimeve.
Sipas mediave izraelite, kjo vizitë në Jerusalem ndodh ndërsa Uashingtoni përpiqet të arrijë marrëveshje për fazat e ardhshme të armëpushimit pas lirimit pothuajse të plotë të pengjeve.
Hamas ka liruar 20 pengjet e fundit, të gjallë, nga 7 tetori dhe ka dorëzuar, me vonesa të konsiderueshme, 24 nga 28 trupat që kishte premtuar të dorëzonte si pjesë e armëpushimit.
Katër trupa pengjesh mbeten ende në Gaza, përkatësisht tre izraelitë dhe një tajlandez, të vrarë gjatë sulmit të paprecedentë të Hamasit në Izrael më 7 tetor 2023, që shkaktoi luftën në Gaza.

