Koalicioni qeveritar pranë marrëveshjes për shërbimin ushtarak

nga D. V.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius pret që qeveria të arrijë një marrëveshje këtë javë për një ligj që do të rikthejë një formë të shërbimit ushtarak, ndërsa ministria e tij po kërkon të rrisë numrin e trupave.

Gjatë një vizite sot në regjimentin e sigurisë kombëtare në qytetin perëndimor të Munsterit, Boris Pistorius tha se ishte “shumë, shumë optimist sepse po afrohemi gjithnjë e më shumë”.

Qeveria gjermane, e përbërë nga blloku konservator i kancelarit Friedrich Merz dhe Partia Social-demokrate e qendrës së majtë, ka propozuar rikthimin e shërbimit ushtarak vullnetar.

Megjithatë, palët kanë pasur mospajtime mbi mënyrën se si duhet vepruar nëse nuk ka mjaftueshëm vullnetarë që t’i bashkohen Bundeswehr-it, forcave të armatosura të Gjermanisë.

Propozimet e koalicionit për të përzgjedhur të rinjtë me short për vlerësime dhe, nëse është e nevojshme, më pas për shërbim të detyrueshëm, kanë nxitur debat.

Pistorius theksoi sot se shërbimi ushtarak duhet të mbetet vullnetar, duke vënë në dukje se skema të tilla kanë rezultuar të suksesshme në vende të tjera.

Megjithatë, “nëse, përtej pritshmërive, kjo nuk do të mjaftojë, atëherë do të ketë elementë të detyrueshëm”, tha ai.

“Ne do të gjejmë rregullime gjatë negociatave për ta zgjidhur këtë në mënyrë të arsyeshme dhe të përshtatshme, si në interes të trupave ashtu edhe në interes të të rinjve,” theksoi ministri .

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More