Shkup, 13 janar – Ish Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq, ka ambicie për postin e numrit një të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Ai është njëri nga 7 kandidatët e paraqitur për kryetar të KSHZ-së.
Por për çfarë mbahet mend Mariçiç. Emri i tij është lakuar shumë në opinion në raste që kanë bërë bujë e që kanë ndodhur në kohën kur ai drejtonte ministrinë e drejtësisë, si kuadër i LSDM-së. Ai kishte premtuar ndryshimin e Kodit Zgjedhor, konkretisht zbatimin e listave të hapura për këshilltarë komunal për zgjedhjet lokale, por ndryshimet nuk ndodhën asnjëherë. Po ashtu, kishte premtuar veting në gjyqësor në 100 ditëshin e parë të mandatit të tij si ministër i drejtësisë, por as kjo nuk ndodhi asnjëherë.
Mariçiç u përball me reagime të ashpra edhe për propozimligjin për evidencën amë përmes të cilit krijohej e drejta që personi të ndryshojë gjininë në dokumente si dhe krijonte mundësi për ndryshimin e ligjit për familje, përkatësisht mundësinë për të lejuar martesat nga gjinia e njëjtë.
Mariçiq u përball me reagime të ashpra edhe lidhur me listën e faljeve në vitin 2021, ku ishin futur emra si Ninxha, Boban Iliç dhe Sead Koçan. Ministria e udhëhequr nga Mariçiçi atëherë arsyetohej se komisioni i ministrisë së drejtësisë, nuk kishte të drejtë shqyrtimi të listës, por i’a dërgonte ato në paketë presidencës. Megjithatë ishte sërish ministria e drejtësisë ajo që, pas reagimeve të shumta, bëri tërheqjen mbrapsht të listës që sapo ia kishte dërguar presidentit, duke u bërë rasti i parë në historinë e shtetit, që presidenti nuk e ushtroi të drejtën e tij për falje grupore. Kjo çoi në inicimin e një ligji të ri për falje, procedura e të cilit filloi një vit më vonë.
Premtime të tjera të parealizuara të ish ministrit Mariçiç janë dixhitalizimi i proceseve gjyqësore si dhe zotimi i tij se do të bindte deputetët e opozitës se atëhershme për ndryshimet kushtetuese, gjë që nuk ndodhi asnjëherë.
Emri i Mariçiç përmendej edhe si ministër me standarde të dyfishta. Ai derisa për lirimin e Sasho Mijallkovit nga paraburgimi kërkonte llogari nga gjykatësit për t’i sqaruar opinionit se përse u mor vendimi, për rastin Alfa konsideronte se nuk mund të përzihet në punën e gjyqësorit.
Kujtojmë se një ditë më parë, Komisioni për zgjedhje dhe emërime e konfirmoi listën me kandidatët e paraqitur në shpalljen publike të Kuvendit, për përbërjen e re të KSHZ-së. Sipas listës së konfirmuar janë paraqitur 16 kandidatë, prej tyre, 7 për kryetar të KSHZ-së, ku përveç mariciqit fuigurojnë edhe Feuzi Xhaferi, Daniella Markoska, Dobre Jançev, Viktoria Avramovska, Elita Shuki dhe Bllagoja Geshoski.

