Mesfushori kroat Mateo Kovacic mund të largohet nga Manchester City gjatë afatit kalimtar të verës, mes interesimit konkret nga Lindja e Mesme.
Sipas The Sun, disa skuadra të Saudi Pro League kanë paraqitur oferta për 31-vjeçarin, duke e joshur me kushte financiare të favorshme.
Megjithatë, lojtari preferon të vazhdojë karrierën në Evropë, edhe nëse vendos të largohet nga City para përfundimit të kontratës së tij, e cila skadon në vitin 2027.
Interes për shërbimet e Kovacic kanë shfaqur edhe dy gjigantë të Serie A, AC Milan dhe Juventus – të cilët thuhet se kanë zhvilluar bisedime me përfaqësuesit e lojtarit.

Kroati ka eksperiencë në futbollin italian, pasi më herët ka qenë pjesë e Inter Milan, ku u afirmua në arenën ndërkombëtare.
Ky sezon ka qenë i komplikuar për mesfushorin, i cili është përballur me probleme fizike dhe ka regjistruar vetëm dy paraqitje në të gjitha garat për Manchester Cityn.
Mbetet për t’u parë nëse City do të jetë i gatshëm ta lërë të lirë një lojtar me eksperiencë të madhe ndërkombëtare, apo nëse Kovačić do të vazhdojë të jetë pjesë e projektit të kampionëve anglezë.

