Bardhi: Kryeministri po zvarrit çështjen Balluku, por nuk i shpëton dot përgjegjësive

Nga D. V.
422 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi sot lidhur me qëndrimet e Kryeministrit Edi Rama gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste për çështjen Balluku.

Bardhi e cilësoi qëndrimin e kryeministrit si zvarritje të procesit, duke iu referuar vendimit të Ramës për t’u shprehur mbi çështjen Balluku vetëm pasi të publikohet raporti i Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve në Kuvend mbi pranimin ose jo të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Aktualisht, me vendim të Gjykatës Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO), Balluku ndodhet e pezulluar nga pozicioni i zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërsa SPAK ka kërkuar shtrëngimin e masës së sigurisë.

Sipas Bardhit, kryeministrit “nuk i mjaftuan dy muaj zvarritje, por tani kërkon edhe dy javë të tjera për gjoja një raport të deputetëve të vet, për të cilin urdhrin do ta japë po vetë”.

Duke iu referuar akuzave të SPAK ndaj Ballukut, Bardhi shkruan: “Janë 11 tenderë me vlerë 1.1 miliardë euro, të firmosura nga Belinda Balluku, me urdhër apo dijeni të Edi Ramës. Një pjesë janë projekte publike që sot po shemben dhe po bllokojnë qytetarët kudo në vend. Janë 16 mijë faqe prova që faktojnë korrupsionin e qeverisë dhe administratës së lartë të Edi Ramës. Janë mjaftueshëm përgjime që dokumentojnë shantazhin mafioz ndaj dëshmitarëve, përmes të fortëve, parave të pista dhe presionit ndaj familjeve.”

Bardhi shtoi: “Pra, pse kërkon të blejë akoma kohë Edi Rama? Pse sulmon drejtësinë? Pse pengon drejtësinë? Nuk bëhet më fjalë thjesht për Belinda Ballukun. Në lojë është personalisht Edi Rama. Rolin e tij në vendimet për tenderat e kemi parë e zeza mbi të bardhë në dosjen antikorrupsion të SPAK-ut.”

Sipas kreut të grupit Parlamentar të PD, “Fatkeqësisht për Edi Ramën, koha nuk ndryshon faktet. Shtyrja nuk ndryshon përgjegjësinë. Sa më shumë të zvarritet vendimi, aq më e qartë bëhet se problemi nuk është tek hartimi i raportit të shumicës, por tek frika e Edi Ramës për humbjen e pushtetit.”

Bardhi kujtoi gjithashtu dhe deklaratat e Kryetarit të Komsionit të Jashtëm të Parlamentit Evropianë. “”Çështja e Belinda Ballukut është test për Shqipërinë në raport me BE-në”. Integrimi nuk matet me fjalime revolucionare, por me akte që tregojnë se askush nuk është mbi ligjin. Kur pushteti zvarritet për të mbrojtur veten, qytetarët nuk kanë arsye të presin.”

Bardhi rikujtoi dhe protestën e thirrur më 28 shkurt nga Partia Demokratike, duke theksuar se ajo është dita kur frika e pushtetit do të përballet përsëri me vendosmërinë e qytetarëve. “Është dita e shqiptarëve që e duan Shqipërinë si gjithë Europa”, përfundoi ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër