Ndërtohen disa objekte të stacionit të trajtimit të ujërave të zeza të Shkupit, institucionet thonë se do të jetë gati vitin që vjen

Nga Xh M
385 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 20 mars – Stacioni i trajtimit të ujërave të zeza të Shkupit po ndërtohet, ndërsa është përfunduar një e katërta e punimeve të planifikuara të ndërtimit. Një nga objektet më të rëndësishme infrastrukturore për kryeqytetin, i cili duhet të sigurojë trajtimin e ujërave të zeza që përfundojnë në lumin Vardar, filloi të ndërtohet pikërisht një vit më parë. Afati i planifikuar për përfundimin e ndërtimit është nëntori i vitit 2027, pas çka vijojnë dy vjet funksionim provë dhe trajnim i operatorëve, pas çka me objektin do të menaxhojë ndërmarrja publike e qytetit “Ujësjellësi dhe Kanalizime”, shkruan Meta.mk. Stacioni i trajtimit të ujërave të zeza, i cili ndodhet në pjesën verilindore të qytetit, në Trubarevë, menjëherë pranë Vardarit, do të jetë një kompleks i njësive të ndryshme teknologjike që do t’i trajtojnë ujërat e zeza të qytetit. Sipas projektit, do të kryhet trajtimi mekanik primar dhe trajtimi biologjik sekondar i ujërave të zeza. Llumi i gjeneruar në proces do të përpunohet me ndarjen e biogazit, ndërsa pjesa tjetër do të digjet. I gjithë procesi do të përfshijë trashjen, zierjen, tharjen dhe djegien e llumit në vend.

Nga “Ujësjellësi dhe Kanalizimet” thonë se stacioni përmban më shumë se 50 objekte të ndryshme që e përbëjnë tërësinë e proceseve teknologjike. Për momentin po realizohet ndërtimi i disa objekteve paralelisht, ndërsa realizimi aktualisht është rreth 25 përqind. “Do të zbatohen të gjitha direktivat evropiane për t’i përmbushur kriteret më të larta ekologjike, dhe do të implementohen teknologjitë e avancuara për efikasitet energjetik përmes përdorimit të biogazit, nxehtësisë së lëshuar nga djegia dhe energjisë diellore, në mënyrë që të sigurohet efikasitet i lartë energjetik dhe shpenzime të ulëta operative gjatë shfrytëzimit”, thonë nga “Ujësjellësi”.

Procesi i trajtimit të ujërave të zeza do të përfshijë edhe kontrollin e aromave dhe optimizimin e energjisë, ndërsa në kuadër të projektit do të duhet të bëhen lidhjet me sistemin kryesor të kanalizimeve, mbrojtja nga përmbytjet deri në lokacion, trafostacionet, lidhjet me rrjetin dhe impiantet rezervë të prodhimit, si dhe trajnimi i punonjësve për funksionimin dhe mirëmbajtjen e impianteve.

Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor informojnë se leja e ndërtimit për stacionin e trajtimit të ujërave të zeza, i cili duhet tu shërbejë të gjitha dhjetë komunave të Shkupit dhe është projektuar për mbi 620.000 banorë, është lëshuar në mars të vitit 2025, pas çka në prill filloi ndërtimi. Data e pritur e përfundimit të ndërtimit është nëntori i vitit 2027, pas çka do të vijojë një periudhë dy vjeçare e funksionimit provë deri në nëntor të vitit 2029, si dhe një periudhë 12-mujore për raportimin e defekteve.

Projekti financohet nga kredi nga BEI në shumë prej 68 milionë eurosh dhe nga BERZH në shumë prej 58 milionë eurosh, si dhe një grant investimi prej 69 milionë eurosh. Vlera e përgjithshme e kontratës së projektimit dhe ndërtimit është 184 milionë euro, nga të cilat deri më tani janë paguar 54 milionë euro për punime ndërtimore dhe 1,4 milionë euro për mbikëqyrje. Realizues është kompania gjermane VTE dhe nënkontraktori nga Maqedonia “Zhikoll”.

Afati fillestar për përfundimin e ndërtimit të këtij objekti kapital ishte ky vit, ndërsa tenderi për ndërtim u hap në verën e vitit 2020, por u pasua nga ngecje dhe vonesa të shumta, akuza, ndryshime drejtorësh, gjë që shkaktoi edhe vonesë në fillimin e punimeve ndërtimore në terren.

Për transferimin e ujërave të zeza deri në stacionin e trajtimit janë planifikuar dy linja kolektore në bregun e majtë dhe të djathtë të Vardarit. Projekti deri në vitin 2022 u realizua nga kompania franceze NGE, e cila ndërtoi 90 përqind të trasës, në bregun e djathtë të Vardarit nga bulevardi “Serbia” deri te Ura e Hekurudhës u ndërtua një rrjet prej 3,4 kilometrash, i cili duhet t’i mbledhë edhe ujërat e zeza nga stacioni ekzistues i pompimit “Gorno Lisiçe”, ndërsa në bregun e majtë u ndërtua një sistem prej 4,5 kilometrash.
Kontrata u ndërpre sepse kompania nuk donte të punonte për shkak të pranisë së supozuar të mbeturinave mjekësore në deponinë Varadarishte. Obligimin për ndërtimin e 900 metrave të fundit, deri në bashkimin me stacionin e pastrimit në Trubarevë, e merr përsipër shteti.

Për momentin fekalet e banorëve të kryeqytetit shkarkohen të patrajtuara drejtpërsëdrejti në lumin Vardar, ndërsa në Saraj janë ndërtuar stacione më të vogla për trajtimin e ujërave të ndotura për lumin Treska dhe në Novo Sellë për lumin Lepenci, përmes të cilave duhet të trajtohen ujërat e ndotura nga vendbanimet që gravitojnë rreth këtyre lumenjve.

Kujtojmë se Ndërmarrja Publike Sistemi i Kolektor-Shkup në vitin 2024 faturoi vetëm 33% të ujit të pastruar të shkarkuar, dhe me detyrime të akumuluara prej 493,108 mijë denarësh, ose më shumë se 8 milionë euro, dhe një llogari të bllokuar që nga themelimi i saj, ndërmarrja përballet me sfida serioze financiare, likuiditet të reduktuar dhe rreziqe për qëndrueshmërinë e operacioneve, zbuloi Enti Shtetëror i Revizionit në raportin financiar së bashku me revizion të pajtueshmërisë në Ndërmarrjen Publike Sistemi Kolektorik – Shkup, për vitin 2024.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër