Tetovë, 4 tetor Zhurnal.mk – Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, nga Konventa promovuese e kandidatit për kryetar të Bërvenicës, Jakup Huseini, në Çellopek, përcolli mesazhin e unitetit të VLEN-it, duke deklaruar se koalicioni është i bashkuar dhe i konsoliduar për zgjedhjet e 18 tetorit.
Kasami tha se zgjedhjet e jashtëzakonshme në Bërvenicë duhet të jenë vazhdimësi e fitores së VLEN-it në zgjedhjet lokale, duke e cilësuar komunën si fitoren e 11-të që synon ta marrë VLEN-i.
“VLEN-i është i bashkuar, i konsoliduar dhe unik. Të gjithë pas Jakupit në Bërvenicë, të gjithë në krye të përgjegjësisë për përfaqësimin e shqiptarëve”, tha Kasami.
Ai tha se uniteti i VLEN-it është përgjigje ndaj, siç u shpreh, përpjekjeve për përçarjen e këtij projekti politik.
“Ne e shohim se ata janë dorëzuar. Ata e pranojnë se nuk mund ta mundin VLEN-in e bashkuar. Shpresa e tyre e vetme është përçarja e VLEN-it”, tha Kasami.
Sipas tij, VLEN-i do të vazhdojë i bashkuar, duke theksuar se ky projekt është më i madh se interesat individuale dhe se çdo përpjekje për përçarje nuk do ta ndalë.
“Ky projekt është shumë më i madh dhe më i rëndësishëm sesa çdo interes meskin. Më i madh se çdo emër i përveçëm dhe më i qëndrueshëm përballë çfarëdo tentimi për të futur përçarje”, deklaroi Kasami.
Kasami foli edhe për mbështetjen që pushteti qendror, sipas tij, do t’i japë Komunës së Bërvenicës nëse Jakup Huseini merr mandatin e kryetarit, duke përmendur përfundimin e çerdhes në Çellopek, sallën sportive, përmirësimin e kushteve në shkolla, infrastrukturën dhe menaxhimin e mbeturinave.
Ai tha se VLEN-i, përmes komunave që udhëheq, tashmë ka krijuar një model të qeverisjes që, sipas tij, dëshmohet përmes investimeve dhe projekteve konkrete.
“Ky tren nuk ndalet. Shqiptarët nuk kthehen më prapa. Koha e tyre ka mbaruar. Këtë do ta dëshmojmë edhe me 18 tetor, me fitoren e Jakupit në Bërvenicë. Ora e zhvillimit erdhi edhe për Bërvenicën”, përfundoi Kasami.
