Shkup, 29 mars – Gjithsej 6.451 kompani aktive, të cilët kanë të punësuar dhe ushtrojnë veprimtari, nuk kanë të regjistruar sistem fiskal për evidentimin e pagesave në para, ndërsa edhe 13.966 kompani të tjera janë identifikuar pa pajisje fiskale dhe do t’i nënshtrohen kontrolleve shtesë. Nga Drejtoria e të Ardhurave Publike njoftojnë gjithashtu se këto subjekte veprojnë kryesisht në sektorë si tregtia me shumicë dhe pakicë, përgatitje dhe shërbim i ushqimit, aktivitete juridike dhe kontabël, si dhe turizëm, ku realizohet qarkullim me para të gatshme.
“DAP ka identifikuar 6.451 tatimpagues që janë aktivë dhe kanë të punësuar, por nuk kanë fare sistem fiskal të regjistruar për evidentimin e pagesave në para. Prej tyre, 3.115 subjekte janë të regjistruara edhe për TVSH, gjë që tregon për ushtrim të rregullt të aktivitetit afarist. DAP ka identifikuar edhe 13.966 tatimpagues të tjerë në këto veprimtari pa pajisje fiskale të regjistruara, për të cilët do të kryhen kontrolle në terren, krahasime të të dhënave dhe mekanizma të tjerë kontrolli, për të përcaktuar nëse ata realisht ushtrojnë veprimtari pa deklaruar qarkullimin dhe pa llogaritur e paguar taksat,” deklaroi Drejtoria e të Ardhurave Publike.
6451 biznese aktive nuk kanë fare sistem fiskal
13,966 biznese, pa pajisje fiskale të regjistruara
Sipas Drejtorisë së të Ardhurave Publike, aktivitetet dhe kontrollet në fazën e parë do të fokusohen pikërisht tek këto subjekte aktive, me qëllim përshtatjen e menjëhershme me detyrimet ligjore për evidentimin e pagesave në para. Gjithashtu shtojnë se mosrespektimi i dispozitave ligjore përbën kundërvajtje, për të cilën parashikohen gjoba dhe mbyllje e përkohshme e objekteve tregtare.
