Mbahet mbledhja e Kryesisë, përcaktohet rendi i ditës për seancën plenare

Nga D. V.
344 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 8 prill Zhurnal.mk – Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mbajë sot mbledhjen e radhës, në të cilën pritet të shqyrtohen një sërë çështjesh procedurale dhe të përcaktohet rendi i ditës për seancën plenare të ardhshme.

Në fillim të mbledhjes, anëtarët e Kryesisë do të shqyrtojnë dhe miratojnë procesverbalin nga mbledhja e mëparshme.

Në kuadër të pikës kryesore të rendit të ditës, do të diskutohet propozimi për rendin e ditës së seancës plenare, e cila pritet të përfshijë disa pika të rëndësishme legjislative dhe politike.

Seanca plenare, sipas propozimit, do të nisë me miratimin e procesverbalit nga seanca e kaluar, për të vazhduar me deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.

Në vijim, deputetët pritet të shqyrtojnë dhe votojnë disa projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të kredisë, përfshirë ato me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim, Agjencinë Franceze për Zhvillim dhe KfW, që lidhen me zhvillimin e sektorit financiar, energjinë, klimën si dhe lehtësimin e tregtisë dhe transportit në Ballkanin Perëndimor.

Po ashtu, në rend dite është paraparë votimi i një propozim-rezolute lidhur me rritjen e çmimeve të naftës, mungesën e ndërhyrjes së Qeverisë dhe ndikimin e saj në koston e jetesës dhe stabilitetin ekonomik në vend.

Kuvendi do të shqyrtojë edhe zgjedhjen e një anëtari joprokuror në Këshillin Prokurorial të Kosovës, si dhe një propozim-rezolutë për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës në Kosovë 1998–1999.

Në fund, pritet të trajtohet edhe propozimi i Grupit Parlamentar të AAK-së për emërimin e deputetes Duda Balje në komisione parlamentare.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër