Hezbollahu dhe Izraeli rifillojnë sulmet pavarësisht planeve për bisedime me Libanin

Nga D. V.
320 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Bejrut, 10 prill Zhurnal.mk – Përplasjet mes ushtrisë izraelite dhe milicisë libaneze “Hezbollah” kanë vazhduar edhe të premten, pavarësisht planeve për nisjen e bisedimeve të drejtpërdrejta mes Izraelit dhe Libanit.

Hezbollahu lëshoi sërish predha drejt veriut të Izraelit në orët e mëngjesit. Mediat izraelite raportuan se një banesë u godit dhe u dëmtua nga një raketë e lëshuar nga grupi i mbështetur nga Irani.

Fillimisht, nuk pati raportime për viktima, ndërsa Hezbollahu mori përgjegjësinë për sulmin me raketa.

Ndërkohë, sulme të tjera u raportuan edhe në Liban. Agjencia shtetërore libaneze e lajmeve NNA bëri të ditur se goditjet u përqendruan veçanërisht në jug të vendit, ku të paktën një person humbi jetën.

Ministria libaneze e Shëndetësisë njoftoi se më shumë se 300 persona u vranë të mërkurën gjatë sulmeve të gjera izraelite në të gjithë Libanin.  Që atëherë, intensiteti i sulmeve izraelite është ulur ndjeshëm.

Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi dje për rrjetin “NBC News” se kishte biseduar me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili kishte premtuar uljen e intensitetit të sulmeve.

Megjithatë, Netanyahu deklaroi më vonë se Izraeli do të vazhdonte me operacionet kundër Hezbollahut dhe nuk do të ndalej derisa të garantohej siguria e popullsisë në veri të vendit.

Një zyrtar i Departamentit Amerikan të Shtetit konfirmoi planin për zhvillimin e bisedimeve javën e ardhshme me Izraelin dhe Libanin për një armëpushim.

Sipas zyrës së Netanyahut, bisedimet pritet të fokusohen në çarmatimin e Hezbollahut – i cili ushtron ndikim të konsiderueshëm politik në Liban, ndërsa operon jashtë kontrollit të plotë shtetëror – si dhe në vendosjen e marrëdhënieve paqësore mes dy vendeve.

Media izraelite raportoi se negociatat në Uashington do të zhvillohen fillimisht në nivel ambasadorësh.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani kanë rënë dakord për një armëpushim dyjavor, të mbështetur nga Izraeli, por ai mbetet i brishtë për shkak të sulmeve të vazhdueshme izraelite në Liban.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër