Uashington, 15 prill Zhurnal.mk – Presidenti amerikan, Donald Trump ka rinovuar kritikat ndaj papa Leones XIV për thirrjet e tij për t’i dhënë fund konflikteve globale, duke e akuzuar atë se po anashkalon shtypjen e protestuesve në Iran.
“A mund t’i thotë dikush papa Leones se Irani ka vrarë të paktën 42 000 protestues të pafajshëm, plotësisht të paarmatosur, në dy muajt e fundit, dhe se është absolutisht e papranueshme që Irani të ketë një bombë bërthamore”, shkroi mbrëmë Trump në platformën e tij Truth Social.
Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën një luftë kundër Iranit në fund të shkurtit, pjesërisht me synim frenimin e programit bërthamor të Teheranit dhe aftësisë së tij për të zhvilluar armë bërthamore.
Aktualisht është në fuqi një armëpushim dyjavor.
Protestat në Iran nisën në fund të dhjetorit, fillimisht të nxitura nga kriza ekonomike, por shpejt u shndërruan në demonstrata më të gjera kundër qeverisë dhe sistemit autoritar të Republikës Islamike.
Forcat e sigurisë reaguan me një shtypje të dhunshme.
Papa Leone, gjatë një lutjeje për paqe në Bazilikën e Shën Pjetrit në Romë të shtunën, bëri thirrje për t’i dhënë fund luftërave, ndërsa apelimet e tij së fundmi janë përqendruar gjithnjë e më shumë te konflikti që përfshin Iranin.
Papa, i pari nga Shtetet e Bashkuara, kritikoi ashpër kërcënimet e Trump ndaj Iranit, duke i cilësuar ato si “vërtet të papranueshme”, çka ka nxitur kritika të vazhdueshme ndaj tij nga Trump dhe zëvendëspresidenti JD Vance.
