Beograd/Bruksel, 15 prill, Zhurnal.mk – Një anëtar i Parlamentit Evropian të martën e ftoi Kryetarin autoritar të Serbisë në një debat televiziv në një televizion privat serb jo besnik ndaj tij, pasi u tall nga ky i fundit të hënën në transmetuesin shtetëror.
Të hënën, Aleksandar Vuçiç në RTS tha me një ton ironik se askush nuk e di kush është Sandro Gozi, kur u pyet për një postim të Demokratëve Evropianë në X duke pyetur “kush është i radhës?” pas humbjes në zgjedhje të autoritarit Viktor Orban e i cili është një aleat i ngushtë i Vuçiç.
“A keni dëgjuar ndonjëherë për një ekspert të quajtur Sandro Gozi?”, pyeti Vuçiç moderatorin në RTS.
Nuk është hera e parë që Vuçiç tall dhe fyen anëtarët e Parlamentit Evropian të cilët janë kritikë të hapur të qeverisjes së tij autoritare në vend.
Dje, eurodeputeti Gozi reagoi dhe e ftoi Vuçiçin në një debat në kanalin privat N1 Tv i cili nuk është besnik ndaj Vuçiçit dhe Partisë Progresive (SNS) të tij në pushtet.
“Mjaft me monologë. Një debat i vërtetë. Drejtpërdrejt në TV, në N1, në terren neutral. Le të flasim për lirinë, demokracinë dhe Evropën. Ne jemi gati, nuk kemi frikë të përballemi me një debat të vërtetë. Po ju?” tha Gozi përmes një videoje në X.
Më vonë gjatë ditës, Vuçiç u pyet për ftesën e Gozit.
“Nuk e kuptova sa i rëndësishëm jeni, përndryshe, do t’u kërkoja atyre (N1) t’ju përfshinin në listë si bashkëbisedues (v.j. në debat televiziv)”, tha ai përsëri me ironi ndaj deputetit Gozi.
Vuçiç vazhdon të refuzojë caktimin e një date për zgjedhje të parakohshme parlamentare, megjithëse thotë se votimi mund të zhvillohet këtë vit, pasi studentët dhe opozita po e thërrasin atë për zgjedhje të parakohshme duke shpresuar ta rrëzojnë atë dhe partinë e tij pas 14 vitesh në pushtet.
