Nufi në Bruksel: Forcojmë dialogun strategjik me NATO-n

Nga D. V.
178 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 15 prill Zhurnal.mk – Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, zhvilloi në Bruksel një takim me Kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Giuseppe Cavo Dragone, në kuadër të forcimit të dialogut strategjik dhe thellimit të bashkëpunimit të Shqipërisë me Aleancën.

Gjatë takimit, u diskutua mbi intensifikimin e bashkëpunimit në çdo nivel institucional, si dhe mbi rolin e Shqipërisë në kuadër të NATO-s në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua Kosovës dhe rolit të misionit të KFOR-it në garantimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajon.

“Takim i rëndësishëm me Giuseppe Cavo Dragone, Kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO, në funksion të forcimit të dialogut strategjik dhe thellimit të bashkëpunimit të Shqipërisë me Aleancën në çdo nivel. Vëmendje e veçantë ndaj Kosovës dhe rolit të KFOR në garantimin e stabilitetit dhe paqes”, shkroi Nufi në një postim në rrjetet sociale.

Në fokus të bisedimeve ishin gjithashtu projektet strategjike me rëndësi rajonale, përfshirë Korridorin VIII dhe zhvillimin e Porto Romanos, të cilat u vlerësuan si të rëndësishme për avancimin e infrastrukturës dhe lidhshmërisë në rajon, me mbështetjen e mëtejshme të Aleancës.

“Roli strategjik të Korridori VIII dhe zhvillimii i Porto Romanos me mbështetjen e mëtejshme nga Aleanca, i rëndësishëm për avancimin e projekteve me rëndësi kombëtare dhe rajonale”, theksoi Nufi.

Nufi rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë për të forcuar rolin e saj në NATO dhe për të kontribuar në mënyrë aktive në garantimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajon dhe më gjerë.

“Shqipëria mbetet e përkushtuar për të forcuar më tej rolin e saj në NATO, në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë”, theksoi Nufi

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër