Kiev, 22 prill, Zhurnal.mk – Ukraina kërkon zhvillimin e një takimi të drejtpërdrejtë mes presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe presidentit rus, Vladimir Putin, në një përpjekje për t’i dhënë një impuls të ri përpjekjeve të udhëhequra nga SHBA-ja për t’i dhënë fund luftës mbi katërvjeçare, sipas AP.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha deklaroi se Kievi kërkon organizimin e një samiti në nivel të lartë, si një mënyrë për të rifilluar diplomacinë, ndërsa negociatat e ndërmjetësuara nga SHBA-ja gjatë vitit të fundit, kanë rezultuar me pak ose aspak progres në çështjet kyçe, përfshirë kontrollin e rajoneve të pushtuara nga Rusia.
Ukraina i ka kërkuar Turqisë të ndihmojë në organizimin e takimit dhe ka kontaktuar edhe vende të tjera pritëse të mundshme, duke përjashtuar çdo vendndodhje në Rusi apo Bjellorusi.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka kërkuar armëpushim të pakushtëzuar, të cilin Zelensky e ka pranuar, por që është refuzuar nga Moska.
Sipas analistëve, Kremlini beson se koha është në favorin e tij, duke parë edhe dobësimin gradual të mbështetjes perëndimore për Ukrainën.
Lufta në terren vijon përgjatë një vije fronti rreth 1,250 kilometra në lindje dhe jug të vendit, me humbje të mëdha nga të dyja palët, ndërsa verifikimi i pavarur i shifrave mbetet i vështirë.
Ndërkohë, një sulm ukrainas me dron në qytetin rus, Syzran shkaktoi shembjen e një ndërtese banimi, duke lënë të vdekur një grua dhe një fëmijë dhe duke plagosur 12 të tjerë, sipas autoriteteve ruse.
Zona ndodhet pranë një rafinerie të Rosneft, objektiv i shpeshtë i sulmeve ukrainase.
Sulmet ajrore të Ukrainës brenda territorit rus janë rritur ndjeshëm, duke kaluar nga rreth 6 200 në vitin 2024 në mbi 23 000 gjatë vitit 2025, sipas zyrtarëve rusë.
Bisedimet e paqes aktualisht mbeten të ngrira, edhe për shkak të zhvendosjes së fokusit të Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt konfliktit me Iranin.
