Bruksel, 22 prill, Zhurnal.mk – Komisioni Evropian u ka bërë thirrje vendeve të BE-së të bashkëpunojnë më ngushtë për të shmangur një mungesë të karburantit për avionë gjatë sezonit të ardhshëm të pushimeve verore, ndërsa blloku përballet me pasojat e luftës në Iran.
“Disponueshmëria dhe kapaciteti operacional i sektorit të rafinimit të naftës në Evropë, duhet të maksimizohen për të përmbushur kërkesën aktuale, veçanërisht për karburantin e avionëve, pasi rreth 40% e konsumit tonë importohet dhe afro gjysma e këtyre importeve kalon përmes Ngushticës së Hormuzit”, thuhet në dokumentin udhëzues dërguar vendeve të bllokut.
“Përqendrimi i kapaciteteve në disa vende të BE-së e bën të nevojshëm monitorimin e koordinuar dhe veprimin e mundshëm kolektiv, për të maksimizuar prodhimin ekzistues evropian të rafinerive, përfshirë përmes lirimit të koordinuar dhe në kohë të rezervave emergjente”, sipas dokumentit të KE-së.
Komisioni u kërkoi qeverive të shqyrtojnë furnizime alternative dhe lloje të tjera të karburantit të importuar.
Për të lehtësuar koordinimin më të mirë, Komisioni Evropian do të ofrojë analiza skenarësh dhe do të koordinojë kohën dhe sasitë – sipas rajoneve dhe për të gjithë BE-në – në lidhje me lirimin e mundshëm të rezervave.
Ekzekutivi i BE-së gjithashtu do të hartojë një pasqyrë të furnizimit me karburante transporti, do të koordinojë sigurimin e burimeve alternative të karburantit për avionë dhe do të propozojë masa për shpërndarjen më efikase të karburantit në të gjithë bllokun.
Që nga nisja e luftës në Iran rreth dy muaj më parë, BE-ja ka shpenzuar rreth 24 miliardë euro shtesë për importe karburanti për shkak të rritjes së çmimeve, sipas të dhënave të Komisionit.
Udhëheqësit e BE-së pritet të diskutojnë nesër rekomandimet e Komisionit Evropian në një samit në Qipro.
Komisioneri evropian për Transportin, Apostolos Tzitzikostas minimizoi dje frikën për një mungesë të afërt të karburantit për avionë, duke theksuar se nuk ka shenja për anulime të përhapura fluturimesh në muajt në vijim.
