Tiranë, 25 prill Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një mbledhje me drejtuesit e degëve të partisë në Tiranë, ku ka denoncuar ashpër atë që ai e cilëson si një “kapje totale të shtetit” nga qeveria e Kryeministrit Edi Rama. Gjatë fjalës së tij, Berisha bëri thirrje për gatishmëri nga radhët e opozitës, duke theksuar se vendi po kalon një situatë të paprecedentë ku ndarja e pushteteve është asgjësuar.
Lideri i opozitës e akuzoi drejtpërdrejt mazhorancën për ndërhyrje antikushtetuese në sistemin e drejtësisë. Sipas tij, lëvizjet e fundit parlamentare nuk janë të rastësishme, por një mekanizëm mbrojtës për t’i shpëtuar hetimeve për afera të mëdha korruptive.
“Edi Rama përdori 83 mandatet e tij për t’i vënë çelësat asaj dege të pushtetit pa të cilin ndarje pushtetesh nuk ka. Ai mori një akt ekstrem sepse e kuptoi që ‘Dosja Balluku’ ishte ‘Dosja Rama’. Ky është një vendim i ndërmarrë vetëm për të shpëtuar lëkurën e tij,” u shpreh Berisha.
Një pjesë e fjalës së Kryetarit të PD-së u fokusua te siguria e pronës publike dhe private. Ai ngriti akuza mbi institucionet si Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe Kadastra Shtetërore, duke pretenduar se këto të fundit janë kthyer në instrumente për tjetërsimin masiv të pronave.
Sipas Berishës, sistemi i Kadastrës ka lejuar fshirjen e mijëra dokumenteve dhe manipulimin e e-maileve të qytetarëve.
“Kanë deshifruar pas-kodet e qytetarëve. I tërë ky operacion i tjetërsimit të miliarda vlerave është drejtuar nga AKSHI. Nuk janë iranianët ata që kanë hakuar masivisht email-et e pronarëve, por vetë qeveritarët,” theksoi Berisha.
Kritika për politikën e jashtme
Përtej çështjeve të brendshme, Berisha sulmoi qëndrimet e Kryeministrit në arenën ndërkombëtare, veçanërisht qasjen e tij ndaj marrëdhënieve me Serbinë dhe qëndrimet evropiane ndaj Rusisë. Duke i kujtuar mbrojtjen që Rama i ka bërë Serbisë për mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, si dhe mbështetjen për nismën e “Ballkanit të Hapur”, Berisha e cilësoi atë si një “argat të Vuçiçit” dhe “vegël të Putinit”.
Thirrje për kryengritje paqësore
Në përfundim, kreu i selisë blu u bëri thirrje demokratëve që të mos dorëzohen përballë asaj që e quajti një “terror psikologjik dhe mediatik”. Ai inkurajoi strukturat të vijojnë protestat dhe “kryengritjen paqësore”, duke argumentuar se kjo është e vetmja rrugë për të mbrojtur votën e lirë, shtetin ligjor dhe ekonominë e qytetarëve shqiptarë.
“Sot realisht jemi shpresa e vetme. Ne nuk dorëzohemi. Kjo bandë kriminale duhet të largohet sa më shpejt nga pushteti,” përfundoi Berisha.
