Protestat në Tiranë, Peleshi: Dhuna pengon integrimin, Shqipëria e së ardhmes është në BE

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 15 tetor Zhurnal.mk – Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, ka njoftuar shtyrjen për një javë të seancës plenare që ishte paraparë të mbahej të enjten, më 15 tetor, pas situatës së krijuar nga protestat e dhunshme në Tiranë.

Në një deklaratë për media, Peleshi bëri thirrje për qetësi, përmbajtje dhe reflektim, duke thënë se dhuna ndaj institucioneve, djegiet dhe dëmtimi i pronës publike e private përbëjnë shqetësim serioz për vendin.

Ai tha se vendimi për shtyrjen e seancës është marrë për të garantuar zhvillimin e saj në kushte të qeta dhe për të mos dhënë asnjë shkak për provokime të mëtejshme.

“Përballë një situate të paprecedentë dhune ndaj institucioneve të shtetit, pronës publike dhe pasurisë private të qytetarëve, vendosa ta shtyj me një javë seancën plenare të planifikuar për sot”, deklaroi Peleshi.

Kreu i Kuvendit paralajmëroi gjithashtu se ngjarjet e fundit mund të ndikojnë negativisht në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

“Ky proces mund të pengohet nga forca malinje, por kurrsesi nuk duhet të pengohet, as të prishet, nga vetë ne, shqiptarët modernë të shekullit XXI”, tha ai.

Peleshi u bëri thirrje partive politike, institucioneve dhe shoqërisë që të veprojnë së bashku për të shmangur përshkallëzimin e situatës, duke vënë theks të veçantë te mbrojtja e të rinjve nga dhuna.

Ai tha se studentët, nxënësit dhe fëmijët nuk duhet të formohen nga urrejtja dhe dhuna në rrugë, duke kërkuar që ata të mbahen larg përplasjeve.

“Fëmijët janë interesi më i lartë i një vendi. Ashtu siç edukohen sot, ashtu do të jetë Shqipëria nesër”, u shpreh Peleshi.

Në fund të deklaratës, ai u bëri thirrje palëve që të ulen për dialog dhe të diskutojnë për të ardhmen e vendit, pavarësisht dallimeve politike.

“Të ulemi. Të flasim. Të diskutojmë dhe të debatojmë për të ardhmen, pa harruar kurrë se, mbi të gjitha, jemi të gjithë shqiptarë”, përfundoi Peleshi.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër