Ministri Hoxha: Vazhdojmë projektet e nisura nga Izet Mexhiti, problemet e deponive po i zgjidhim me Qendrat rajonale për grumbullimin e mbeturinave

Nga Xh M
438 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 25 maj Zhurnal.mk – Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha, në emisionin “Debat në SHENJA” deklaroi se ministria po vazhdon realizimin e projekteve të nisura nga ish-ministri Izet Mexhiti, duke theksuar se një pjesë e madhe e tyre tashmë janë në fazë implementimi.

Hoxha u shpreh se është i kënaqur që projektet po realizohen në komunat shqiptare, duke vlerësuar se një qasje e tillë ka munguar në të kaluarën. Sipas tij, prioritetet kryesore gjatë mandatit të tij mbeten menaxhimi i mbeturinave, lufta kundër ndotjes dhe menaxhimi i ujërave.

“Shumë projekte që i ka filluar si ministër z. Mexhiti po vazhdojnë edhe tani. Më gëzon fakti që realizohen projekte në mjediset dhe komunat shqiptare, gjë që nuk ka qenë më herët. Që në fillim të mandatit kam theksuar se fokusi im do të jetë menaxhimi me mbeturinat, ndotja dhe menaxhimi me ujërat”, deklaroi Hoxha në “Debat në SHENJA”.

Hoxha, më tej ka folur për zgjidhjen e problemit me mbeturinat në komunën e Likovë.

“Zgjidhja e këtij problemi janë qendrat rajonale për grumbullimin e mbeturinave. Paralelisht me ndërtimin e qendrave rajonale për grumbullimin e mbeturinave do të ndërtohen edhe transfer-qendrat të cilat komunat do të mund t’i bartin mbeturinat në transfer qendrën e cila njëkohësisht do të jetë e lidhur me qendrën rajonale për grumbullimin e mbeturinave të cilat konkretisht Likova do të jetë në rajonin ku do të ndërtohet qendra rajonale për grumbullimin e mbeturinave në Sveti Nikole. Atje shpresojm që i gjithë procesi udhëhiqet nga Komisioni Evropian”, deklaroi Hoxha.

Ministri Hoxha, tha se po punohet për harmonizimin e ligjeve për mbrojtjen e mjedisit me standardet e Bashkimit Evropian. Ai theksoi se vendi është në proces të vazhdueshëm përafrimi me direktivat e BE-së në fushën e mjedisit dhe se masat që po ndërmerren kanë për qëllim përmbushjen e këtyre standardeve.

“Jemi në vazhdimësi në harmonizim me legjislaturën evropiane, pra me direktivën e Bashkimit Europian për mbrojtjen e ambientit jetësor dhe në vazhdimësi marrim masat që janë në pajtueshmëri me standardet evropiane. Pikërisht edhe ata që e theksova më herët që ka të bëjë me ndotjen dhe masat të cilat ndërrmerren kanë të bëjnë me standardet evropiane në pjesën e ambientit jetësor”, deklaroi Hoxha.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër