Një tjetër yll shqiptar po lind në futbollin europian dhe emri i tij është Anes Alii. Talenti shqiptar nga Zherovjani i Tetovës, i lindur më 10 shkurt 2011 në Basel të Zvicrës, po tërheq vëmendjen me paraqitjet fantastike në akademinë e njohur të FC Basel, një nga klubet më prestigjioze në futbollin zviceran.
Që nga mosha vetëm 6-vjeçare, Anesi është rritur futbollistikisht te gjiganti zviceran, duke kaluar me sukses çdo kategori të juniorëve – nga U6 deri te U15. Me disiplinën, karakterin dhe talentin e tij të jashtëzakonshëm, ai ka arritur të fitojë besimin e trajnerëve dhe sot mban me krenari shiritin e kapitenit te ekipi U15 i Baselit.
Por kjo nuk është e gjitha. Pavarësisht moshës së re, Anes Alii është aktiv edhe me ekipin U16 të klubit, një dëshmi e qartë e potencialit të madh që posedon dhe e nivelit të lartë që ka treguar në fushën e lojës.
Talenti shqiptar është gjithashtu pjesë e Kombëtares së Zvicrës U15, duke u renditur mes futbollistëve më premtues të brezit të tij. Ai veçohet për fizikun e fuqishëm, inteligjencën taktike, agresivitetin pozitiv në duele dhe shpirtin lider që e karakterizon në çdo ndeshje.
Anesi mund të luajë në disa pozicione kyçe në fushë:
Mbrojtës qendror i majtë
Mesfushor defensiv qendror
Mbrojtës i majtë
Idoli i tij është ylli shqiptar Granit Xhaka, dhe shumë njohës të futbollit besojnë se Anes Alii ka potencialin për të ndjekur gjurmët e kapitenit shqiptar të Zvicrës drejt skenës më të madhe europiane.
Nga Zherovjani i Tetovës në akademinë elitare të Baselit, rrugëtimi i Anes Aliit sapo ka nisur. Me talentin dhe përkushtimin që po tregon, emri i tij pritet të dëgjohet gjithnjë e më shumë në futbollin ndërkombëtar, ndërsa shqiptarët kudo shpresojnë ta shohin një ditë duke shkëlqyer edhe me fanellën kuqezi.
