Kiev, 29 maj, Zhurnal.mk – Ukraina vlerësoi sot se rrëzimi i një droni rus mbi një ndërtesë banimi në Rumani është një tjetër dëshmi e kërcënimit që paraqet Rusia për mbarë Evropën.
“Shkelja e fundit e hapësirës ajrore rumune nga një dron rus dhe shpërthimi i tij në një zonë rezidenciale të Galacit kanë treguar edhe një herë se agresioni rus përbën një kërcënim real për rajonin e Detit të Zi dhe për të gjithë Evropën”, deklaroi ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, në rrjetet sociale.
Ndërkohë, edhe NATO dënoi sot atë që e quajti papërgjegjshmëri të Rusisë, për sulmin rus mbi një ndërtesë banimi në Rumani, pranë kufirit me Ukrainën duke shkaktuar plagosjen e lehtë të dy personave.
“Ne dënojmë papërgjegjshmërinë e Rusisë”, deklaroi zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart, në rrjetin social X.
Ajo shtoi se sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet rumune për të ndjekur situatën.
