Editorial / Sa përfiton vendi dhe qytetarët nga lidhja me “Korridorin Vertikal” të gazit!

Nga R.ZH
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 7 shtator, Zhurnal.mk – Maqedonia e Veriut u bashkua zyrtarisht me Korridorin Vertikal të Gazit, duke e bërë vendin pjesë të bashkëpunimit më të gjerë rajonal për lidhjen e sistemeve të transmetimit të gazit natyror në Evropën Juglindore dhe Qendrore. Kriza energjetike e viteve të fundit tregoi sa e kushtueshme mund të jetë një varësi e tillë. Prandaj, hapja e rrugëve të reja për furnizim është e rëndësishme si për ekonominë, ashtu edhe për sigurinë energjetike të vendit. Gazifikimi i Maqedonisë së Veriut përmes Korridorit Vertikal të Gazit nënkupton lidhjen e infrastrukturës kombëtare energjetike me një rrjet të madh tubacionesh shumëkombëshe, me qëllim dhënien fund të varësisë totale nga gazi natyror rus. Për qytetarët kjo do të thotë fatura më të lira dhe më pak ndotje të natyrës, shkruan “Zhurnal.mk”.

Maqedonia e Veriut lidhet me “Korridorin Vertikal” të gazit

Drejtori Ekzekutiv i NOMAGAS AD, Nedim Rama, nënshkroi në Selanik Memorandumin e Mirëkuptimit për t’u bashkuar me iniciativën “Korridori Vertikal”, duke e bërë vendin pjesë të bashkëpunimit më të gjerë rajonal për lidhjen e sistemeve të transmetimit të gazit natyror në Evropën Juglindore dhe Qendrore.

Memorandumi u nënshkrua në kuadër të Forumit të 10-të të Energjisë së Evropës Juglindore (SEEF), duke u bërë kështu zyrtarisht pjesë e iniciativës rajonale për lidhjen e sistemeve të gazit dhe diversifikimin e furnizimeve me gaz natyror.

Bashkimi me Korridorin Vertikal do të forcojë bashkëpunimin rajonal, do të mbështesë integrimin më të mirë të sistemit tonë kombëtar të transmetimit të gazit natyror me rrjetin më të gjerë evropian, do të diversifikojë rrugët e furnizimit me gaz dhe do të përmirësojë sigurinë e furnizimit në rajon, shkruan “Zhurnal.mk”.

Pse është i rëndësishëm ky korridor!

“Korridori Vertikal” i Energjisë nuk është vetëm një infrastrukturë e tubacionit të gazit, por një arkitekturë e re sigurie, ekonomike dhe gjeostrategjike e Evropës Juglindore.

Me këtë veprim, pas tre dekadash, Maqedonia e Veriut i jep fund varësisë të plotë nga një rrugë e vetme gazi, që ishte gazi rus. Ky interkonektor me Greqinë pritet të jetë funksional në vitin 2027.

Në vend që të varet vetëm nga gazi rus përmes gazsjellësit të vjetër Trans-Ballkanik, Maqedonia e Veriut tani mund të importojë gaz nga burime të ndryshme. Shteti eliminon shantazhin gjeopolitik. Deri më tani, nëse Rusia ndalte gazin, vendi mbetej në tmerr energjetik. Tani gazi mund të sillet nga SHBA-ja, Katari apo Azerbajxhani.

Pas vënies në funksion, Maqedonia e Veriut duhet të sigurojë një kapacitet fillestar për transportin e 1.4 miliardë metrave kub gaz natyror në vit, me mundësinë që ky kapacitet të dyfishohet në të ardhmen, përkatësisht të arrijë në 2.8 miliardë metra kub në vit.

Gjithashtu ky projekt vazhdon ne veri duke u lidhur me Serbinë, dhe përmes këtij projekti, vendi synon të bëhet një qendër kryesore e tranzitit të energjisë që lidh jugun me Evropën Qendrore dhe Lindore.
Pjesa më e madhe e punës administrative për lidhjen me Greqinë është përfunduar, tubat janë vendosur, gjithçka përreth tokës është tashmë në proces përpunimi, kështu që vendi është në rrugën e duhur. Janë kryer 68 kilometra dhe në qershorin i ardhshëm është data e pritur kur ky segment duhet të përfundojë.

Javën e kaluar, Maqedonia e Veriut nënshkroi një marrëveshje me Serbinë për ndërtimin e interkonjektorit, i cili do të jetë 23 kilometra i gjatë. Pra deri në fillim të vitit 2028, gjithçka do të jetë gati për transportin e gazit nga Greqia në Serbi, shkruan “Zhurnal.mk”.

Qytetarët do të kenë energji më të lirë

Me zbatimin e këtyre projekteve, Maqedonia e Veriut duhet të fitojë mundësi të reja për furnizim me gaz natyror, si dhe lidhje më të mirë me sistemin rajonal të energjisë.

Zgjerimi i rrjetit rrit konkurrencën rajonale, shton disponueshmërinë e gazit dhe mbështet sigurinë energjetike afatgjatë me çmime më të përballueshme.

Në aspektin ekonomik, fabrikat dhe korporatat e mëdha ndërkombëtare nuk investojnë në vende që nuk kanë energji të qëndrueshme dhe të lirë. Rrjeti i ri i gazit e bën shtetin shumë më atraktiv për industrinë e rëndë.

Duke u lidhur me Greqinë dhe Serbinë, shteti bëhet urë kalimi (tranzit) për gazin që shkon drejt Evropës Qendrore. Kjo do të thotë të rritura financiare nga taksat e tranzitit.

Konkurrenca sjell çmime më të lira. Kur gazi vjen nga shumë burime dhe jo vetëm nga një monopol siç ishte Rusia, çmimi i importit bie. Kjo do të përkthehet në fatura më të lira të ngrohjes qendrore dhe të energjisë elektrike për familjet.

Gazi natyror, edhe pse është lëndë djegëse fosile, ndot shumë më pak se qymyri apo nafta, duke ndihmuar shtetin të përmbushë standardet ekologjike të Bashkimit Evropian. Shkupi, Tetova, Manastiri dhe qytete të tjera vuajnë nga ndotja ekstreme e ajrit gjatë dimrit, kryesisht sepse qytetarët ngrohen me dru, qymyr apo edhe mbetje. Gazifikimi i qyteteve u mundëson familjeve një sistem ngrohjeje ekologjik, gjë që do të pastrojë ajrin dhe do të mbrojë shëndetin e fëmijëve.

Pas vitit 2027, qytetarët nuk do të kenë më frikë nga ndërprerjet e energjisë apo krizat e rrepta energjetike gjatë muajve më të ftohtë të vitit, pasi furnizimi do të jetë i garantuar nga tregu global dhe ky është një ndër përfitimet më të mëdha që qytetarët do ta ndjejnë në xhepat e tyre, shkruan “Zhurnal.mk”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër