Sot, Zhurnal MK shënon 17-vjetorin e themelimit

Nga R.ZH
492 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 6 shtator, Zhurnal.mk – Para 17 vitesh, në një realitet mediatik që po përjetonte ndryshime të mëdha ishte e nevojës të hapet një dritare e re informimi për opinionin publik, e morëm këtë guxim dhe përgjegjësi e nisëm këtë mision me Agjencinë e Lajmeve Zhurnal. E filluam me gazetë të shtypit me vizionin e qartë për të qenë burim i besueshëm informacioni, për të ndriçuar zhvillimet politike, ekonomike, kulturore e shoqërore, dhe për të qenë pranë lexuesve me profesionalizëm e integritet. Me zhvillimin e hovshëm teknologjik, kalimi nga shtypi në arenën online ishte i natyrshëm por edhe i domodoshëm që të jemi sa më afër lexuesit në çdo kohë. Falë besnikërisë së lexuesve tanë, sot me krenari kremtojmë 17 vjetorin e dritares sonë stoike mediatike, një zë që nuk u ndal asnjëherë e do të vazhdojë përherë.

Rrugëtimi i Zhurnal-it

Zhurnal lindi si gazetë e shtypit që gjendej në duart e deputetëve, ministrave, profesorëve, studentëve dhe qytetarëve me integritet. Që nga fillimi, vizioni ishte i qartë të jemi burim i besueshëm informacioni dhe të sjellim thjeshtësi në pasqyrimin e zhvillimeve politike, ekonomike, kulturore e shoqërore.

Me kalimin e kohës, teknologjia ndryshoi mënyrën e informimit. Zhurnal, duke ndjerë dominimin e epokës digjitale, bëri hapin e guximshëm nga një gazetë e shtypit u shndërrua në medium online, duke vendosur lajmin në duart e publikut në kohë reale, kudo dhe në çdo moment. Ky transformim ishte dëshmi se Zhurnal ecën në hap me kohën, pa e humbur misionin e vet informues.

Media si oksigjen i lirisë

Në një shoqëri demokratike, media është oksigjeni i lirisë. Pa një media të lirë dhe të përgjegjshme, qytetari mbetet i verbër, ndërsa demokracia e cunguar. Për 17 vite, Zhurnal ka qenë zë kritik dhe i pandalur duke sjellë jo vetëm lajmin, por edhe analizën e editorialin dy herë brenda ditës si dy shtylla për përforcimin e mendimit kritik tek opinioni publik.

Zhurnal ka qenë pjesë e pandashme e procesit të demokratizimit të shoqërisë dhe forcimit të institucioneve, duke ngritur çështje dhe hapur debate të nevojshme.

Lexuesit shtytja jonë më e madhe

Ky rrugëtim nuk do të kishte kuptim pa lexuesit tanë besnikë. Për 17 vite ata kanë ndjekur, lexuar dhe shpërndarë fjalën tonë. Çdo klikim, çdo koment, çdo faqe e hapur ka qenë energji dhe motivim për të mos u ndalur kurrë.

E tani, në këtë përvjetor të rëndësishëm e themi me krenari se Zhurnal është dhe do të mbetet një zë i pandalshëm. Një zë që nuk u përkul para sfidave, një zë që zgjedhi rrugën e së vërtetës dhe që do të vazhdojë të ecë përpara me të njëjtin përkushtim dhe mision.

Faleminderit që keni qenë dhe mbeteni pjesë e këtij rrugëtimi! Vazhdojmë bashkë drejt dekadave të reja!

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër