CENTCOM: Forcat amerikane zmbrapsën një seri sulmesh iraniane me raketa dhe dronë

Nga D. V.
680 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Uashington, 03 qershor, Zhurnal.mk – Ushtria amerikane njoftoi se ka zmbrapsur një seri sulmesh me raketa balistike dhe dronë, të lëshuara nga Irani ndaj objektivave në rajonin e Gjirit gjatë natës.

Në një deklaratë në rrjetin social X, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) bëri të ditur se forcat amerikane neutralizuan disa raketa dhe dronë iranianë, si dhe kryen goditje vetëmbrojtëse në ishullin Qeshm, në përgjigje të sulmeve të pretenduara iraniane në Lindjen e Mesme më 2 qershor.

Pretendimet e ushtrisë amerikane nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Para publikimit të deklaratës së CENTCOM-it, Kuvajti dhe Bahreini raportuan sulme me raketa dhe dronë. Të dyja vendet e Gjirit strehojnë baza të rëndësishme ushtarake amerikane.

Sipas ushtrisë amerikane, dy raketa iraniane të lëshuara drejt Kuvajtit nuk arritën objektivin ose u shkatërruan gjatë fluturimit, ndërsa tre raketa të drejtuara ndaj Bahreinit u interceptuan nga sistemet e mbrojtjes ajrore të SHBA-së dhe Bahreinit.

CENTCOM deklaroi gjithashtu se forcat amerikane rrëzuan tre dronë sulmues, të nisur nga Irani drejt anijeve civile, që po lundronin ligjërisht në ujërat e rajonit.

“Forcat tona mbeten vigjilente dhe të gatshme për t’u mbrojtur ndaj çdo agresioni të pajustifikuar iranian gjatë armëpushimit në fuqi”, thuhet në deklaratë.

Në një përditësim të mëvonshëm, CENTCOM njoftoi se një valë tjetër dronësh iranianë tentoi të sulmonte forcat amerikane në Kuvajt, por pa sukses.

Sipas ushtrisë amerikane, mbrojtja ajrore rrëzoi disa dronë dhe nuk pati dëme në personel apo pajisje.

Sulmi ndaj një anijeje cisternë me naftë mund të ketë nxitur përshkallëzimin

Shkëmbimi i fundit i sulmeve, pavarësisht armëpushimit dhe negociatave për t’i dhënë fund konfliktit, duket se lidhet me një operacion ushtarak amerikan të kryer dje.

Ushtria amerikane deklaroi se kishte sulmuar me raketë një anije cisternë pa ngarkesë pranë ishullit Kharg, një qendër kyçe për eksportet iraniane të naftës, pasi ajo kishte tentuar të hynte në një port iranian. Sipas CENTCOM-it, anija u nxor jashtë funksionit.

Nga ana tjetër, një zëdhënës ushtarak iranian konfirmoi se sulmet hakmarrëse u kryen nga Garda Revolucionare Islamike (IRGC), forca elitare e Republikës Islamike.

Zëdhënësi deklaroi se Irani kishte paralajmëruar më herët se, në rast agresioni, përgjigjja do të ishte ndryshe dhe më e ashpër, duke shtuar se veprimet e fundit duhej të shërbenin si një mësim.

Zyrtari iranian paralajmëroi gjithashtu se çdo kërcënim ndaj sigurisë së Ngushticës së Hormuzit, do të kishte pasoja të rënda për forcat ushtarake amerikane në rajon.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër