“Janë materiale të manipuluara nga kompania që ma vodhën bukën e gojës”, Gjesti reagon pas publikimit të pamjeve ku ai kërcënon me armë

Nga D. V.
947 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Pas publikimit të pamjeve nga mediumi “Sinjali”, ku këngëtari Gjesti shihet duke hyrë me armë në dorë dhe duke shkaktuar dëmtime në ambientet e shtëpisë muzikore “ONIMA”, ka ardhur reagimi i menjëhershëm i vetë artistit.

Përmes një deklarate të shpërndarë në rrjetet e tij sociale, Gjesti ka akuzuar kompaninë për manipulim të ngjarjes dhe për prerje të qëllimshme të videove, duke insistuar se ajo që është publikuar nuk e pasqyron tërësisht realitetin.

Ai e cilësoi publikimin e pamjeve si një “fushatë të re” për dëmtimin e imazhit të tij. Ndërkohë, Gjesti u kërkoi falje shqiptarëve që mund të jenë shqetësuar nga videot, por theksoi se, sipas tij, pjesët kryesore të ngjarjes janë lënë jashtë.

Këngëtari ngriti pikëpyetje pse nuk janë publikuar momentet ku, siç pretendon ai, “arma i është drejtuar i pari”, vetëm pse po kërkonte paratë e fituara me mund. Ai shtoi se në pamjet e publikuara shihet qartë se stafi i kompanisë qëndron i qetë, duke argumentuar se kjo – sipas tij – tregon se askush nuk ka qenë realisht i rrezikuar.

Përtej incidentit me armë, Gjesti ka hedhur edhe akuza të rënda financiare dhe ligjore ndaj pronarit të “ONIMA”, Erkand Shabani. Ai pretendon se kompania i ka falsifikuar nënshkrimin dhe se ka përfituar ndër vite nga puna e tij, pa dijeninë e tij.

“Kompania dhe njeriu që përfituan nga djersa ime, që ma vodhën bukën e gojës dhe që më bënë të dal nga vetja”, shkruan ai në mesazhin e tij.

 Foto: Gjesti/InstaStory

Në mbyllje të deklaratës, Gjesti theksoi se e pranon pjesën e tij të përgjegjësisë për veprimet e bëra dhe u shpreh i gatshëm të bartë pasojat ligjore.

Megjithatë, ai deklaroi se ka besim të plotë te shteti i Kosovës, Prokuroria dhe Gjykata, duke shtuar se tashmë kanë nisur hetime edhe ndaj personave të përfshirë nga kompania muzikore, të cilët – sipas tij – do të përballen me dënimin e merituar. 

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër