Shkup, 5 qershor, Zhurnal.mk – Dhjetëra punonjës të Klinikës së Fëmijëve protestuan sot para Ministrisë së Financave, duke kërkuar pagesën e pagave të papaguara dhe zgjidhje për statusin e tyre të punës, transmeton Zhurnal.
Protestuesit thanë se prej fillimit të vitit nuk kanë marrë paga, ndërsa kërkesat për vazhdimin e kontratave të punës kanë marrë përgjigje negative nga Ministria e Financave, pa një arsyetim të qartë.
Sipas tyre, kërkesat për vazhdimin e kontratave janë dorëzuar që në janar, por përgjigjja ka ardhur vetëm pas pesë muajsh pritje.
“Nëse nuk ka pasur qëllim për vazhdimin e kontratave, atëherë pse përgjigjja është vonuar pesë muaj? Për çfarë arsye punëtorët janë lënë të vazhdojnë punën deri në fund të majit?”, u shprehën protestuesit.
Ata ngritën shqetësimin se, ndonëse shumica e institucioneve të tjera shëndetësore kanë marrë miratim për vazhdimin e kontratave, punonjësit e Klinikës së Fëmijëve vazhdojnë të përballen me refuzime.
Në protestë u theksua se në mesin e të punësuarve ka persona me deri në tetë vjet përvojë pune në institucion, të cilët kanë vazhduar të kryejnë detyrat e tyre pavarësisht mungesës së pagave dhe pasigurisë për të ardhmen e tyre profesionale. /Zhurnal.mk
