Pas dyerve të mbyllura fshihet tmerri: 7 gra të vrara, dhuna në familje jashtë kontrollit

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 29 nëntor Zhurnal.mk – Pas dyerve të mbyllura, shumë gra në Maqedoninë e Veriut po përballen me dhunë, kërcënime dhe sulme që në disa raste përfundojnë me pasoja fatale. Rastet e fundit të regjistruara në vend kanë rikthyer në vëmendje përmasat shqetësuese të dhunës në familje dhe reagimin e institucioneve për mbrojtjen e viktimave.

Rasti më i rëndë i ditëve të fundit është regjistruar në fshatin Toplicë të Gostivarit, ku një 52-vjeçar dyshohet se ka tentuar ta vrasë bashkëshorten e tij, duke e sulmuar fizikisht dhe me një mjet të mprehtë. Gruaja ka pësuar lëndime të rënda trupore, plagë nga goditjet me mjet të mprehtë dhe thyerje të disa brinjëve.

Ajo është gjetur pa vetëdije dhe fillimisht është dërguar në spitalin e Gostivarit, ndërsa për shkak të gjendjes së rëndë është transferuar në Klinikën për Anestezi, Reanimacion dhe Mjekim Intensiv (KARIL) në Shkup.

Drejtori i TOARILUC-it, dr. Igor Merxhanovski, ka bërë të ditur se gruaja është në gjendje stabile, është e vetëdijshme dhe komunikon, por vazhdon të qëndrojë nën trajtim intensiv.

Sipas Prokurorisë Themelore Publike në Gostivar, pas një mosmarrëveshjeje familjare, i dyshuari e ka goditur disa herë bashkëshorten në kokë, fytyrë dhe trup, duke i shkaktuar lëndime të rënda.

Rastin në polici e ka denoncuar babai i të dyshuarit. Kur policia ka mbërritur në vendngjarje, gruan e ka gjetur pa vetëdije. Gjatë arrestimit, i dyshuari ka bërë rezistencë dhe ka lënduar një polic. Për shkak të problemeve me shëndetin mendor, ai është dërguar në spitalin psikiatrik në Bardovcë.

Prokuroria ka hapur hetim për veprën penale tentim-vrasje dhe ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, duke vlerësuar se ekziston rreziku që i dyshuari ta përfundojë veprën, të arratiset ose të ndikojë te dëshmitarët.

Rastet e dhunës raportohen në disa qytete

Ngjarja në Gostivar nuk është e vetmja. Në Ohër, një 19-vjeçare ka denoncuar se është rrahur nga bashkëshorti i saj jashtëmartesor dhe prindërit e tij.

Në Tetovë, një 40-vjeçar dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj partneres së tij, e ka detyruar të shoqërohet me burra të tjerë dhe t’ia dorëzojë paratë që fitonte nga lëmosha.

Raste të tjera janë regjistruar në Koçan, ku një grua është sulmuar dhe kërcënuar nga bashkëshorti, si dhe në Negotinë, ku një baba ka sulmuar fizikisht djalin e tij të mitur me një objekt metalik. Në një fshat të Krivogashtanit, një 19-vjeçare ka denoncuar kërcënime nga partneri i saj.

Shtatë gra të vrara deri në nëntor

Përmasat e problemit janë evidentuar edhe nga të dhënat e publikuara nga LSDM-ja. Sipas kësaj partie, gjatë vitit 2025 janë regjistruar gjashtë raste të femicidit, ndërsa deri në nëntor të vitit 2026 janë evidentuar shtatë gra të vrara.

Vetëm nga janari deri në tetor të këtij viti, Ministria e Punëve të Brendshme ka regjistruar 1.897 ngjarje të lidhura me dhunën në familje. Sipas të dhënave nëntëmujore të MPB-së, më shumë se 80 për qind e viktimave të veprave penale të kësaj kategorie janë gra.

Pas rastit të rëndë në Gostivar, deputetët e LSDM-së dhe koalicionit kanë kërkuar nga kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, thirrjen e një seance të jashtëzakonshme, me një pikë të vetme të rendit të ditës: veprimin e institucioneve në parandalimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, si dhe mbrojtjen e viktimave.

Nga LSDM-ja kërkojnë përgjegjësi institucionale dhe sqarime se çfarë ndodh pas çdo denoncimi, kush e vlerëson rrezikun dhe kush kontrollon nëse zbatohen masat mbrojtëse për viktimat. Partia ka kërkuar gjithashtu dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.

Rastet e fundit që tronditën opinionin

Vetëm dy javë më parë, opinionin publik e tronditi rasti i 26-vjeçares Sara Gjorgjievska nga Ohri, e cila dyshohet se u rrah brutalisht nga partneri i saj, 31-vjeçari Kristian Koraboski, brenda një automjeti. Pas sulmit, ai e kishte nxjerrë në rrugë dhe e kishte lënë të lënduar. Vajza kishte humbur vetëdijen dhe kishte pësuar lëndime të rënda trupore.

Pas ngjarjes, policia ka ngritur kallëzim penal ndaj të dyshuarit për lëndim të rëndë trupor. Rasti nxiti protesta në Ohër kundër dhunës ndaj grave.

Një tjetër rast tragjik është ai i 17-vjeçares Biljana Qiriq nga Bogdanci, e cila në fillim të nëntorit u gjet e vdekur në një automjet të djegur. Trupi i partnerit të saj 21-vjeçar, Viktor Guntarov, u gjet në afërsi të vendit të ngjarjes.

Dyshimet fillestare të Prokurorisë ishin për vrasje dhe vetëvrasje, ndërsa shqetësues është fakti se tragjedisë i kishin paraprirë denoncime për dhunë dhe kërcënime. E reja më herët e kishte denoncuar partnerin për sulm fizik dhe kërcënime me jetë.

Rastet e njëpasnjëshme kanë ngritur sërish pyetjen se sa efektiv është sistemi i mbrojtjes së viktimave dhe nëse institucionet po reagojnë në kohë, përpara se kërcënimet dhe dhuna të përfundojnë në tragjedi.

artikuj të ndërlidhura