Me ndryshimet e reja ligjore nuk do të ketë më kredi të shpejta, para në dorë

Nga D. V.
1,112 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 12 qershor, Zhurnal.mk – Po punohet për ndryshime ligjore që parashikojnë krijimin e organeve të detyrueshme të brendshme në çdo shoqëri financiare, si bord për auditim të brendshëm, bord për rrezikun kreditor, bord mbikëqyrës etj, raporton SlobodenPecat, transmeton Zhurnal.

Ministria e Financave po përgatit ndryshime dhe plotësime të Ligjit për shoqëritë financiare, me qëllim forcimin e kuadrit rregullator, mbrojtje më të madhe të qytetarëve dhe avancim të transparencës e stabilitetit në funksionimin e këtyre subjekteve, njoftoi Ministria e Financave. “Po punohet për ndryshime ligjore që parashikojnë krijimin e organeve të detyrueshme të brendshme në çdo shoqëri financiare, si bord për auditim të brendshëm, bord për rrezikun kreditor, bord mbikëqyrës etj. Gjithashtu, po forcohet kontrolli gjatë hapjes së hapësirave të reja të biznesit, ku do të kërkohet pëlqim paraprak nga Ministria e Financave, me kritere të përcaktuara për kushtet e punës,” informuan nga Ministria.

Me ndryshimet parashikohet edhe rritja e kapitalit themelor të shoqërive financiare, si dhe ndalimi i pagesave në para të gatshme, duke bërë që mjetet e kredive të mund të disbursohen vetëm përmes llogarisë bankare. Qëllimi është gjurmueshmëri më e madhe e flukseve financiare dhe ulje e rreziqeve nga abuzimet.

Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska prej kohësh ka paralajmëruar se kontrollet zbulojnë dobësi dhe parregullsi.

“Ministria e Financave në vazhdimësi kryen mbikëqyrje në terren dhe jashtë terrenit mbi funksionimin e shoqërive financiare. Në vitin 2025, gjatë mbikëqyrjes për parregullsitë e konstatuara, janë dhënë 26 urdhra dhe janë lëshuar 4 gjoba. Gjatë vitit 2025 është revokuar një licencë pune për një shoqëri financiare. Po ashtu, gjatë vitit 2025 janë pranuar dy ankesa nga qytetarët që lidhen me shqetësime gjatë mbledhjes së kredive, për të cilat qytetarët janë drejtuar tek Ministria e Punëve të Brendshme. Theksojmë se kompetencë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes shoqërive financiare dhe klientëve të tyre kanë vetëm gjykatat kompetente në RMV,” – deklaruan nga Ministria e Financave për “Sloboden Pechat”.

Ministria e Financave në mars informoi se pas kontrolleve të kryera mbi shoqëritë financiare, të cilat kryesisht merren me kredi të shpejta, kanë konstatuar një sërë parregullsish.

“Ministria e Financave në mbikëqyrjen e realizuar mbi funksionimin e shoqërive financiare konstatoi praktika tregtare mashtruese që lidhen, ndër të tjera, me reklamimin e shërbimeve financiare dhe veprime të tjera të shoqërive financiare, në kundërshtim me Ligjin për mbrojtjen e konsumatorëve,” njoftuan nga Ministria, pa specifikuar sa kontrolle janë bërë dhe tek sa shoqëri janë evidentuar parregullsi.

Ata shpjeguan se gjatë mbikëqyrjes është konstatuar reklamim me interes zero përqind, edhe pse në kontratën e kredisë ishin parashikuar shpenzime shtesë.

“Gjithashtu, janë konstatuar parregullsi që lidhen me reklamimin e shërbimeve financiare nën marka pa treguar shoqërinë financiare që ofron shërbimin konkret, përdorimin e disa faqeve interneti nga e njëjta shoqëri financiare, si dhe përdorimin e emrit të shoqërisë në hapësirat e biznesit ndryshe nga emri i përcaktuar në lejen e punës së shoqërisë financiare,” – thuhet në njoftim.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër