JD Vance: Trump mund të publikojë marrëveshjen SHBA-Iran para të premtes

Nga D. V.
1,177 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Uashington, 16 qershor, Zhurnal.mk – Presidenti amerikan Donald Trump mund të vendosë të publikojë marrëveshjen paraprake mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, përpara nënshkrimit zyrtar të saj të premten në Gjenevë, deklaroi sot zëvendëspresidenti amerikan JD Vance, raportoi BBC.

Sipas JD Vance, memorandumi i mirëkuptimit (MOU) mes dy vendeve është një dokument i shkurtër dhe i përgjithshëm, që krijon kuadrin bazë për negociatat e mëtejshme.

Ai theksoi se detajet kryesore do të përcaktohen gjatë bisedimeve teknike, që pritet të nisin këtë javë, veçanërisht për programin bërthamor iranian.

Vance tha se dokumenti parashikon angazhimin e Iranit për “paqen dhe stabilitetin rajonal”, ndërprerjen e financimit të organizatave terroriste dhe, mbi të gjitha, një zotim të verifikueshëm për të mos ndërtuar armë bërthamore.

Trump deklaroi gjatë samitit të G7-tës, në Francë se marrëveshja paraprake tashmë është nënshkruar në mënyrë elektronike nga ai vetë, JD Vance dhe kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf.

Zyrtarë amerikanë kanë bërë të ditur se Ngushtica e Hormuzit do të rihapet të premten, në të njëjtën ditë kur marrëveshja do të firmoset zyrtarisht në Gjenevë.

Trump ka urdhëruar gjithashtu heqjen e menjëhershme, të bllokadës detare amerikane ndaj porteve iraniane.

Marrëveshja parashikon zgjatjen e armëpushimit edhe për 60 ditë të tjera, periudhë gjatë së cilës, palët do të negociojnë një marrëveshje përfundimtare.

Megjithatë, çdo lehtësim i sanksioneve ose zhbllokim i aseteve iraniane, do të varet nga përmbushja e detyrimeve të Teheranit.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu deklaroi se Izraeli do të vazhdojë të mbajë forcat e tij në zonat e sigurisë në Liban, Siri dhe Gaza “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, duke theksuar se Irani nuk do të lejohet të sigurojë armë bërthamore, me ose pa marrëveshje.

Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme iraniane mirëpriti marrëveshjen, si një hap drejt uljes së tensioneve, por theksoi se Teherani vazhdon të ketë “mosbesim të thellë” ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Presidenti i Libanit, Joseph Aoun mirëpriti zhvillimin, duke shprehur shpresën se marrëveshja do të përkthehet, në hapa konkretë për t’i dhënë fund ciklit të dhunës në rajon.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër