Prishtinë, 17 qershor, Zhurnal.mk – Lëvizja Vetëvendosje ka përkujtuar sot veprimtarin dhe intelektualin e njohur shqiptar Ukshin Hoti në ditëlindjen e tij, duke e cilësuar atë si një nga mendjet më të thella politike dhe intelektuale shqiptare të shekullit XX.
Përmes një postimi në Facebook, Vetëvendosje ka vlerësuar figurën dhe kontributin e Hotit, duke theksuar se ai ia kushtoi jetën lirisë, barazisë dhe të drejtës së shqiptarëve të Kosovës për vetëvendosje.
“Një nga mendjet më të thella politike dhe intelektuale shqiptare të shekullit XX. Një veprimtar që e pagoi me burg, përndjekje dhe në fund me zhdukjen e tij përkushtimin ndaj lirisë, barazisë dhe të drejtës së popullit shqiptar të Kosovës për vetëvendosje”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.
Sipas kësaj partie, regjimi serb nuk arriti ta mposhtte Hotin përmes burgosjes dhe izolimit, por as zhdukja e tij nuk arriti të shuante ndikimin e mendimit të tij politik.
“Regjimi serb në Jugosllavi nuk arriti ta mposhtë me burgje. Nuk arriti ta thyejë me izolim. Prandaj e zhduku. Por nuk arriti ta zhdukë mendimin e tij”, thekson Vetëvendosje.
Në reagim thuhet se Ukshin Hoti ishte ndër figurat që e kuptoi herët rëndësinë e lirisë politike dhe të drejtës së një populli për të përcaktuar vetë fatin e tij.
“Ukshin Hoti mbetet ndër figurat që e kuptuan më herët dhe më qartë se liria politike nuk është vetëm çlirim nga shtypja, por edhe e drejtë për ta përcaktuar vetë fatin kolektiv të një populli”, thuhet në postim.
Duke kujtuar një nga thëniet e tij më të njohura, Vetëvendosje citoi fjalët e Hotit se “Demokracia dhe republika janë në funksion të lirisë”.
Në ditëlindjen e tij, partia në pushtet tha se do të vazhdojë të kërkojë të vërtetën për fatin e Ukshin Hotit dhe drejtësi për të gjithë personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës.
“Në ditëlindjen e tij, e kujtojmë me respekt e mirënjohje, por edhe me zotimin se nuk do të pushojmë së kërkuari të vërtetën për fatin e tij dhe drejtësi për të gjithë të zhdukurit me dhunë gjatë luftës”, thuhet më tej.
Vetëvendosje njoftoi gjithashtu se Java e Lëvizjes përmbyllet në ditëlindjen e Ukshin Hotit dhe hapet në ditën e Lidhjes së Prizrenit, duke e cilësuar këtë si një vazhdimësi të mendimit politik shqiptar.
“Ne jemi frymëzuar dhe vijojmë të frymëzohemi nga tezat dhe mendimi i prof. Ukshinit. Dhe do të kujdesemi që brezat e rinj të aktivistëve ta ndjekin rrugën e njëjtë”, thotë reagimi i Vetëvendosjes.
