Londër, 18 qershor, Zhurnal.mk – Votuesit në zonën elektorale të Makerfield do t’u drejtohen sot kutive të votimit, në një zgjedhje të pjesshme, që konsiderohet ndër më të rëndësishmet në historinë politike të Britanisë së Madhe.
Andy Burnham, kandidon në zonën zgjedhore të Mançesterit të Madh, për Partinë Laburiste me synimin për t’u rikthyer në Parlament dhe për të sfiduar kryeministrin Keir Starmer për drejtimin e partisë dhe të qeverisë.
Starmer deklaroi se është i gatshëm t’i ofrojë Burnham, një post të rëndësishëm në qeveri nëse ai fiton mandatin, por mbështetës të kryetarit të Bashkisë së Mançesterit të Madh, e kanë refuzuar këtë mundësi, duke argumentuar se forca e tij politike qëndron te fakti se, nuk është lidhur me dështimet e qeverisë aktuale.
Sipas medieve britanike, kampi i Burnham shpreson që Starmer të tërhiqet vullnetarisht, duke shmangur një garë të brendshme për lidershipin, e cila sipas tyre do të dëmtonte imazhin e Partisë Laburiste.
Megjithatë, kryeministri Starmer e ka bërë të qartë se, nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen dhe se do të përballet me çdo sfidë ndaj udhëheqjes së tij.
Raportet sugjerojnë se disa ministra të kabinetit, janë bindur të mos largohen nga qeveria para zgjedhjeve, për të shmangur një krizë politike.
Ndërkohë, ish-ministri i Shëndetësisë, Wes Streeting, i cili ka sinjalizuar ambicie për drejtimin e Laburistëve, është takuar me Burnham gjatë fushatës në Makerfield.
Në mitingun e tij përmbyllës, Burnham deklaroi se “ndryshimi po vjen” në Westminster, duke e cilësuar votimin, si një mundësi për ndryshim politik dhe ekonomik.
“Është një votë për Makerfield dhe një votë për shpresën”, tha ai.
Kundërshtari kryesor i Burnham, është kandidati i partisë “Reform UK”, e udhëhequr nga Nigel Farage.
Burnham paralajmëroi votuesit për rrezikun e mbështetjes së kësaj force politike, duke argumentuar se fitorja e saj do ta çonte Britaninë e Madhe drejt një politike më përçarëse.
Zgjedhjet në Makerfield janë një nga tre zgjedhjet e pjesshme parlamentare, që zhvillohen sot në Britaninë e Madhe, krahas dy të tjerave janë në Skoci – ku anëtarët e Parlamentit të SNP-së, Stephen Gethins dhe Stephen Flynn, dhanë dorëheqjen pasi fituan zgjedhjet për Parlamentin Skocez në maj.
