Shkup, 21 qershor Zhurnal.mk – Edhe përskaj faktit që disa herë u riaktualizua çështja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duket se s’ka gatishmëri të tillë as nga pushteti dhe as nga opozita. Kreu i LSDM-së Venko Filipçe, tha se LSDM-ja nuk do t’i japë kryeministrit alibi për zgjedhje të parakohshme. Sipas tij, zgjedhjet do të ndodhin vetëm kur qeveria të mbetet pa para.
“Kur ti shpenzojnë të gjitha paratë për tenderë partiakë, atëherë do të shkojnë në zgjedhje. Dhe siç e shihni ka deklarata kontradiktore, duam zgjedhje të rregullta, jo po duam të parakohshme, jo jemi gati dhe kështu me radhë. Nuk do të kërkojë alibi dhe as ne si opozitë nuk do t’ia japim, për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Zgjedhje do të ketë kur do të mbesin pa para”, deklaroi Venko Filipçe, Kryetar i LSDM-së.
Kryeministri Mickoski, kohë më parë në intervistën në Alsat, deklaroi se qeveria duhet të jetë e përgatitur për zgjedhje të parakohshme, nëse opozita e sfidon, por të paktën për disa muaj, ato nuk janë në horizont, pasi përndryshe nuk do të kishte kuptim rikonstruimi i Qeverisë.
“Është logjike që në gjysmën e dytë të mandati të jeni gjithmonë të përgatitur nëse opozita ju sfidon, të dilni në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Edhe pse ne si qeveri, unë si kryeministër nuk dëshiroj një skenar të tillë. Për ne është me rëndësi ta çojmë në fund mandatin që e kemi fituar. Përndryshe, a do të bëja rikonstruim qeverie, nëse për disa muaj prej sot, do të prisja të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare”, theksoi Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Edhe VLEN ka deklaruar se aktualisht janë të angazhuar në realizimin e programit dhe vendit nuk i duhen zgjedhje. Por nëse vendoset një gjë e tillë, ata janë shprehur të gatshëm. Edhe BDI ka shprehur gatishmëri nëse merret një vendim i tillë.
