Shkup, 15 tetor, Zhurnal.mk – Mbi 160 punonjës dhe bashkëpunëtorë shëndetësorë nga e gjithë Maqedonia e Veriut kanë ndjekur trajnime rajonale për luftimin e korrupsionit në shëndetësi. Një hulumtim i Shoqatës për Emancipim, Solidaritet dhe Barazi të Grave – ESE, tregon se 84 për qind e të anketuarve e konsiderojnë korrupsionin pjesërisht ose shumë të përhapur në sektorin ku punojnë, ndërsa vetëm 7 për qind e atyre që kanë pasur njohuri për raste të tilla i kanë raportuar ato, transmeton Zhurnal.mk.
Më shumë se 160 punonjës dhe bashkëpunëtorë shëndetësorë nga i gjithë vendi kanë marrë pjesë në trajnime rajonale për njohjen, parandalimin dhe raportimin e korrupsionit në sektorin e shëndetësisë. Në trajnimet e organizuara në tetë qytete, në të gjitha rajonet planore të Maqedonisë së Veriut, morën pjesë mjekë, infermierë, mami, psikologë, punonjës socialë dhe personel administrativ.
Aktivitetet janë pjesë e projektit “Sistem më i fortë për mbrojtje më të drejtë: Ulja e korrupsionit në shëndetësi“, të cilin e zbaton Shoqata për Emancipim, Solidaritet dhe Barazi të Grave – ESE. Qëllimi është forcimi i kapaciteteve të personelit shëndetësor për të identifikuar format e ndryshme të korrupsionit dhe për t’u përfshirë në parandalimin e tyre.
“Qëllimi është të forcohen njohuritë dhe kapacitetet praktike të pjesëmarrësve për veprim profesional dhe etik, njohjen e rreziqeve të korrupsionit dhe formave të ndryshme të tij, kuptimin e dimensionit gjinor, si dhe reagimin e duhur dhe përdorimin e mekanizmave për raportim“, deklaroi Borjan Pavllovski nga Shoqata ESE.
Sipas tij, përmes shembujve praktikë, diskutimeve dhe punës interaktive, pjesëmarrësit i lidhën këto tema me praktikën e tyre të përditshme profesionale, duke punuar edhe në avancimin e standardeve profesionale, trajtimin e barabartë të pacientëve dhe integritetin në institucionet shëndetësore.
Vetëm 7 për qind i kanë raportuar rastet e korrupsionit
Hulumtimi i Shoqatës ESE, i realizuar në fund të vitit 2025, tregon se shumica e punonjësve shëndetësorë janë të vetëdijshëm për praninë e praktikave korruptive, por vetëm një pjesë e vogël reagojnë ose i raportojnë rastet.
Sipas rezultateve, gati 84 për qind e punonjësve shëndetësorë konsiderojnë se korrupsioni është pjesërisht ose shumë i përhapur në sektorin ku punojnë. Megjithatë, vetëm 7 për qind e atyre që kanë pasur njohuri për raste korrupsioni kanë raportuar rastin.
Këto të dhëna nxjerrin në pah nevojën për ndërgjegjësim më të madh, forcimin e besimit te mekanizmat e raportimit dhe krijimin e kushteve që punonjësit shëndetësorë të mund të denoncojnë parregullsitë pa frikë nga pasojat.
“Besoj se për këtë temë duhet të flitet shumë më tepër, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit, forcimin e besimit të ndërsjellë dhe inkurajimin e punonjësve shëndetësorë që t’i identifikojnë dhe raportojnë më guximshëm dyshimet për korrupsion“, vlerëson dr. Nina Bliznakovska Stojkoviq, mjeke familjare nga Kumanova.
Ajo thekson se është veçanërisht e rëndësishme të ekzistojë një sistem efikas që do t’i mbrojë personat që raportojnë, do të sigurojë që çdo denoncim të shqyrtohet në mënyrë të plotë, të pavarur dhe të drejtë, si dhe do të mundësojë marrjen e masave përkatëse kur konstatohen parregullsi, me qëllim parandalimin e përsëritjes së rasteve të tilla.
Trajnimet trajtuan edhe korrupsionin me bazë gjinore dhe sekstorcionin
Punonjësit shëndetësorë i vlerësuan trajnimet si të dobishme dhe të zbatueshme në punën e tyre të përditshme. Veçanërisht të rëndësishme për ta ishin temat që lidhen me identifikimin e rreziqeve të korrupsionit, aspektet gjinore të tij, sekstorcionin, trajtimin e barabartë të pacientëve, si dhe mekanizmat e raportimit dhe mbrojtjes.
Sipas organizatorëve, një pjesë e konsiderueshme e pjesëmarrësve për herë të parë u njohën me forma të caktuara të korrupsionit, përfshirë sekstorcionin, i cili lidhet me keqpërdorimin e pushtetit ose të pozitës për të kërkuar favore seksuale.
“Një pjesë e madhe e kolegëve u përballën për herë të parë me disa forma të korrupsionit, si sekstorcionin, dhe kjo do t’i ndihmojë ta njohin më lehtë edhe këtë formë të korrupsionit“, theksoi dr. Goran Andonov, specialist i mjekësisë së punës, i punësuar në Institucionin Publik Shëndetësor Shtëpia e Shëndetit „Dr. Pançe Karagjozov“ në Shtip.
Ai nënvizoi se korrupsioni nuk është vetëm sfidë institucionale, por edhe çështje e etikës profesionale, përgjegjësisë personale dhe besimit.
“Qëllimi ynë është të forcojmë vetëdijen se çdo punonjës shëndetësor ka rol të rëndësishëm në ndërtimin e një sistemi shëndetësor transparent, të drejtë dhe të përgjegjshëm. Lufta kundër korrupsionit është përgjegjësi e përbashkët, ndërsa çdo pacient meriton trajtim të barabartë, të drejtë dhe dinjitoz“, deklaroi Andonov.
Diskutimet nxorën në pah nevojën për më shumë edukim
Për rëndësinë e trajnimeve foli edhe dr. Natasha Ilijoska, mjeke familjare nga Prilepi, e cila vlerësoi se diskutimet gjatë sesioneve treguan se punonjësit shëndetësorë kanë nevojë të madhe për hapësira ku mund të ndajnë përvojat, problemet dhe dilemat e tyre profesionale.
Sipas saj, diskutimet ishin aq të gjalla dhe nevoja për shkëmbimin e përvojave aq e madhe, saqë krijohej përshtypja se pjesëmarrësit mezi kishin pritur të flisnin për çështjet që i kishin mbajtur për një kohë të gjatë për vete.
“Kjo më tregoi se ekziston një nevojë reale për edukime të tilla, si mundësi për një bisedë të hapur, por edhe konstruktive“, tha Ilijoska.
Ajo veçoi si veçanërisht domethënës faktin se njëri prej pjesëmarrësve i kishte përcjellë më pas përmbajtjet e trajnimit edhe te bashkëshortja e tij.
„Për mua, kjo është vlera e vërtetë: të nxitet reflektimi dhe një bisedë që vazhdon të jetojë edhe jashtë sallës së konferencave“, theksoi mjekja.
Projekt kombëtar për parandalimin e korrupsionit në shëndetësi
Shoqata ESE e zbaton projektin „Sistem më i fortë për mbrojtje më të drejtë: Ulja e korrupsionit në shëndetësi“ me mbështetjen e Expertise France, përmes Agjencisë Franceze për Zhvillim (Agence française de développement – AFD).
Iniciativa kombëtare mbështetet në tri shtylla kryesore: trajnimin e punonjësve shëndetësorë për forcimin e rolit të tyre në luftën kundër praktikave korruptive, rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve për njohjen dhe raportimin e korrupsionit, si dhe reformimin e politikave dhe proceseve në sektorin e shëndetësisë.
Të dhënat e hulumtimit dhe përvojat e pjesëmarrësve në trajnime nënvizojnë rëndësinë e forcimit të mekanizmave të raportimit, mbrojtjes së denoncuesve dhe krijimit të një kulture profesionale ku integriteti, transparenca dhe trajtimi i barabartë i pacientëve janë parime themelore të sistemit shëndetësor.//Zhurnal.mk
