Tiranë, 22 qershor, Zhurnal.mk – Shqipëria renditet e para në Ballkanin Perëndimor për nivelin e mbështetjes së qytetarëve ndaj anëtarësimit në Bashkimin Europian, sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Europian.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi duke iu referuar këtyre të dhënave u shpreh se “shqiptarët vijojnë të jenë ndër mbështetësit më të vendosur të projektit europian”.
Peleshi nënvizoi se “me 92% mbështetje për anëtarësimin në Bashkimin Europian, Shqipëria kryeson mes vendeve kandidate për nivelin e besimit dhe përkushtimit ndaj integrimit europian”.
“Për qytetarët tanë, rruga drejt BE-së përfaqëson më shumë siguri dhe stabilitet, më shumë mundësi për zhvillim ekonomik, si dhe një perspektivë më të mirë për brezat që vijnë. Ky besim i lartë është një motivim shtesë për të vijuar me vendosmëri reformat dhe procesin e integrimit europian”, tha Peleshi.
Sipas grafikut, pas Shqipërisë renditet Kosova me 83% mbështetje, ndërsa Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina regjistrojnë secila mbi 60% mbështetje për integrimin europian. Serbia paraqet nivelin më të ulët të mbështetjes në rajon, me 31%.
Shqipëria vijon negociatat e anëtarësimit me BE-në, ndërsa avancimi i reformave mbetet ndër prioritetet kryesore të Qeverisë në rrugën drejt anëtarësimit të plotë.
