Pas rrëfimit publik të vajzës nga Kumanova, institucionet reaguan: Babai dërgohet në Spitalin Psikiatrik në Demir Hisar

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Kumanovë, 12 korrik Zhurnal.mk – Pasi një vajzë nga Kumanova u detyrua të rrëfejë publikisht dramën e saj familjare, duke zbuluar detaje të dhimbshme për frikën dhe gjendjen e pashpresë në të cilën kishte jetuar me babanë e saj agresiv, institucionet më në fund ndërmorën hapa për zgjidhjen e rastit.

Në videomesazhin e saj, ajo tregoi se prej vitesh jeton në frikë për shkak të babait të saj, i cili, sipas pretendimeve të saj, ka probleme me alkoolin dhe është diagnostikuar me çrregullime psikike.

Ajo bëri të ditur se në shtëpi jetojnë tri gra dhe vëllai i saj me paralizë cerebrale, i cili, sipas saj, gjithashtu ka përjetuar situata traumatike.

“Nuk e di në cilin shekull jetojmë, por kjo çmenduri dhe kjo agoni duhet të marrin fund. Kam një vëlla me paralizë cerebrale që jeton me ne dhe i ka përjetuar të gjitha këto trauma”, tha ajo.

Sipas dëshmisë së saj, familja kishte kërkuar disa herë ndihmë nga institucionet, por ishte përballur me vështirësi në sigurimin e trajtimit dhe strehimit të duhur.

Pas reagimeve në opinion, Sektori për Punë të Brendshme në Kumanovë njoftoi se rasti është i njohur për autoritetet dhe se po ndërmerren masa në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike dhe institucionet e tjera kompetente.

“Personi po dërgohet në Spitalin Psikiatrik në Demir Hisar, në bazë të një vendimi të marrë paraprakisht nga Gjykata Themelore e Kumanovës”, njoftuan nga SPB Kumanovë.

artikuj të ndërlidhura