Kratovë, 12 korrik Zhurnal.mk – Edhe pse ka kaluar një muaj që kur opinioni u njoftua se një baba dhe vajza e tij nga Kratova kishin uzurpuar zonën e mbrojtur të Kuklicës dhe u kishin tarifuar në mënyrë të paligjshme hyrjen vizitorëve, problemi ende nuk është zgjidhur.
Qytetarët vazhdojnë të reagojnë, duke pohuar se vetëgjyqësia vazhdon dhe se turistëve ende nuk u lejohet qasja në këtë lokalitet të njohur.
Një qytetare nga Shkupi, e revoltuar, rrëfeu përvojën e saj:
“Kuklica. Formacione shkëmbore të vjetra 10 milionë vjet. Një lokalitet dhe atraksion turistik në rajonin e Kratovës.
Sot shkuam shtatë veta për ta vizituar. Arritëm rreth orës 13:00 dhe aty ishte policia. Me mirësjellje na njoftuan se do të kryhej një inspektim në lokalitet dhe se nuk mund ta vizitonim.
E kuptuam situatën, shkuam në Kratovë, shëtitëm dhe u kthyem pas disa orësh. Meqë ra fjala, Kratova është një qytet shumë i bukur dhe ia vlen ta vizitoni.
Kur u kthyem, porta ishte e mbyllur me dry!
Një grua nuk lejonte askënd të hynte. Aty kishte katër vetura nga Shkupi, një minibus me turistë belgë dhe një veturë me targa të Kratovës.
Telefonova policinë dhe ata erdhën menjëherë.
Hartuan procesverbal. Doli se edhe ‘inspektimi’ i mëhershëm kishte qenë pikërisht për të njëjtin problem.
Pra, policia erdhi një herë, pastaj pas disa orësh edhe një herë, por gruaja nuk shqetësohej fare. Ajo nuk lejonte turistët ta vizitonin lokalitetin.
Thjesht, ajo sillet sikur është pronare e një lokaliteti 10 milionë vjeçar.
Dhe kaq. U kthyem të gjithë mbrapsht – edhe të huajt, edhe ne.”
Rasti ka nxitur reagime të reja në opinion, ndërsa qytetarët kërkojnë nga institucionet kompetente të ndërmarrin masa për të garantuar qasje të lirë në një nga atraksionet më të njohura natyrore dhe turistike të Maqedonisë së Veriut.
