Prishtinë, 20 korrik, Zhurnal.mk – Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka njoftuar se do të ndahen 1 milion euro për kompensimin e normës së interesit për fermerët që realizojnë investime përmes kredive në kuadër të granteve gjatë viteve 2026–2027.
Sipas njoftimit, Peci gjatë një deklarimi në fshatin Vllahi ka theksuar se përkrahja për bujqësinë është rritur këtë vit me 58%, duke shtuar se një nga masat kryesore për këtë vit dhe vitin e ardhshëm do të jetë mbulimi i normës së interesit për fermerët që dëshirojnë të investojnë në krijimin e plantacioneve të reja.
Ai ka përmendur edhe plantacionin e boronicës, duke thënë se ai është ndërtuar gjatë kohës kur ai ka shërbyer si ministër, ndërsa ka theksuar se synimi është që të krijohen edhe plantacione të reja, kryesisht në zonën e Shalës.
“Plantacioni i boronicës është ndërtuar deri sa unë isha ministër. Tash synimi është që të kemi plantacione të reja si boronica, mjedra dhe manaferra kryesisht në vendin e Shalës, sepse i përshtaten kushteve agroklimatike të kësaj zone”, ka thënë Peci përmes një video të postuar në Facebook.
Ai ka theksuar se masat e reja synojnë të lehtësojnë investimet e fermerëve dhe të kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë.
