Shasivari kërkoi shkëmbim përvojash dhe asistencë eksperte nga SHBA në fushën e legjislacionit penal

Nga D. V.
1,759 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 20 korrik, Zhurnal.mk – Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, sot u takua me Nicole Warns, ushtruese detyre e shefes së Misionit në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku u konfirmua bashkëpunimi i fortë dhe i vazhdueshëm mes Ministrisë së Drejtësisë dhe SHBA‑së si partner strategjik në zbatimin e reformave në sistemin e drejtësisë.

Gjatë takimit u diskutua për prioritetet kryesore të Ministrisë së Drejtësisë, me theks të veçantë në reformën e gjyqësorit, forcimin e sundimit të ligjit, digjitalizimin e sistemit gjyqësor, agjendën legjislative dhe luftën kundër korrupsionit. Ministri Shasivari kërkoi që në periudhën e ardhshme të mundësohet shkëmbim përvojash dhe mbështetje eksperte nga SHBA në fushën e legjislacionit penal.

Ministri shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që SHBA i ofron Ministrisë së Drejtësisë dhe proceseve reformuese në vend, duke theksuar se kjo mbështetje ka rol të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve institucionale, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar transnacional, si dhe në avancimin e bashkëpunimit mes institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Në fokus të bisedimeve ishte edhe reforma e legjislacionit penal, e cila mbetet një nga prioritetet strategjike të Ministrisë së Drejtësisë. Në këtë drejtim u theksua se ka nisur zbatimi i projektit “Mbështetje për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Drogat në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, i financuar nga Bureau of International Narcotics and Law Enforcement Affairs (INL) pranë Departamentit të Shtetit të SHBA‑së.

Gjatë takimit u konfirmua angazhimi i përbashkët për thellimin e mëtejshëm të partneritetit përmes projekteve të reja të përbashkëta, mbështetjes eksperte dhe shkëmbimit të përvojave në fusha me interes të ndërsjellë.

Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar në zbatimin e reformave, forcimin e sundimit të ligjit dhe përmbushjen e standardeve evropiane, në interes të qytetarëve dhe integrimit evropian të vendit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër