Mexhiti: Tetori Rozë na bashkon në solidaritet, kujdesi për shëndetin e grave është përgjegjësi e përditshme

Nga R.ZH
A+ A-
Rivendos

Shkup, 28 tetor, Zhurnal.mk – Komuna e Çairit organizoi në ambientet e Muzeut të Arteve Bashkëkohore në Shkup një mbrëmje të veçantë kushtuar Tetorit Rozë, muajit ndërkombëtar të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, duke bashkuar profesionistë të shëndetësisë, artistë dhe pjesëmarrës nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria.

Në kuadër të kësaj nisme, kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, përcolli mesazhin për rëndësinë e ndërgjegjësimit dhe solidaritetit me gratë që përballen me kancerin e gjirit. Aktiviteti ndërthuri artin dhe mjekësinë në funksion të promovimit të kujdesit për shëndetin e grave, kontrolleve të rregullta dhe zbulimit të hershëm të sëmundjes.

“Tetori Rozë na kujton se kujdesi për shëndetin e grave është përgjegjësi që na bashkon të gjithëve. Përmes artit, mjekësisë dhe mesazheve të solidaritetit, kjo mbrëmje dëshmon rëndësinë e ndërgjegjësimit dhe mbështetjes së ndërsjellë. Zbulimi i hershëm i kancerit të gjirit shpëton jetë, prandaj kontrollet e rregullta dhe informimi duhet të jenë pjesë e përditshmërisë sonë. Mbi të gjitha, duam t’u përcjellim një mesazh të gjitha grave që po përballen me këtë sëmundje: nuk janë vetëm. Si Komunë e Çairit, do të vazhdojmë të mbështesim iniciativa që promovojnë shëndetin, solidaritetin dhe kujdesin për çdo grua, jo vetëm gjatë Tetorit Rozë, por gjatë gjithë vitit”, deklaroi Mexhiti.

Mbrëmja u karakterizua nga një program që ndërthuri diskutimet profesionale të mjekëve specialistë me interpretimet artistike, duke krijuar një hapësirë të përbashkët për reflektim, informim dhe sensibilizim të opinionit publik. Pjesëmarrja e profesionistëve dhe artistëve nga tri vendet i dha aktivitetit një dimension të veçantë bashkëpunimi dhe solidariteti.

Komuna e Çairit shpreh mirënjohje për mjekët, artistët dhe të gjithë pjesëmarrësit që me kontributin e tyre mbështetën këtë nismë, duke ritheksuar se ndërgjegjësimi, kujdesi dhe solidariteti me gratë duhet të jenë përgjegjësi e përbashkët gjatë gjithë vitit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër