Tiranë, 21 korrik, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama komentoi sot sërish protestën qytetare që po zhvillohet prej javësh në Tiranë, duke e cilësuar atë si të marrë peng nga grupime që, sipas tij, përfaqësojnë të shkuarën dhe jo të ardhmen e vendit.
Në një bashkëbisedim online me qytetarët, kreu i qeverisë tha se në ditët në vijim do të ndajë reflektimet e tij mbi atë që e quajti “pasqyra e bulevardit të flamingove”.
Rama e ndau simbolikisht bulevardin në dy kampe, duke identifikuar protestuesit në “flamingo” dhe “sorra e korba”.
“Ai bulevard është shumë qartësisht i ndarë për mua, sepse është i ndarë për historinë. Historia e flamingove është historia e Shqipërisë së re. Ndërsa historia e sorrave dhe e korbave që e kanë marrë peng dhe e kanë kthyer në një shëmbëlltyrë simetrike me jashtënxjerrjen e asaj opozitës që tani s’dihet më ku është, nuk ka asnjë lidhje me historinë e të ardhmes së Shqipërisë. Është vetëm e shkuara që vjen në forma shumë të rrezikshme dhe shumë shqetësuese”, u shpreh Rama.
Kryeministri tha se ekstremet politike përbëjnë rrezik për vendin, duke i cilësuar si forca që pengojnë zhvillimin.
“Ekstremet e majta dhe të djathta vijnë për të sjellë më të keqen për një vend, përmes sharlatanësh, delirantësh, injorantësh dhe dështak-zemërakësh të pangushëllueshëm. Janë dy histori të ndara”, deklaroi ai.
Në të njëjtën linjë, Rama e lidhi vizionin e qeverisë me zhvillimin ekonomik, investimet dhe Paketën e Maleve, duke theksuar se këto janë pjesë e projektit për Shqipërinë e së ardhmes.
“Paketa e Maleve është historia e të ardhmes. Investimet e mëdha janë historia e të ardhmes. Shqipëria duhet ta çojë prodhimin e përgjithshëm kombëtar nga 27 miliardë euro në 35 miliardë euro deri në vitin 2030. Kjo është historia e të ardhmes”, tha ai.
Kreu i qeverisë kritikoi edhe retorikën kundër investimeve të huaja dhe kundër pranisë së të huajve në Shqipëri.
“Këta që bërtasin për një Shqipëri që u dashka të jetë vetëm e shqiptarëve, për një Shqipëri ku nuk duhet të ketë të huaj, janë më e keqja që mund t’i ndodhë këtij vendi”, u shpreh Rama.
Rama tha se protestuesit nuk do të arrijnë të ndryshojnë drejtimin e vendit, ndërsa paralajmëroi se së shpejti do të bëjë publike reflektimet e tij mbi protestat.
“Shumë respekt për flamingot që më kanë mësuar shumë dhe më kanë bërë të mendoj thellë. Ndërsa për sorrat dhe korbat e mbledhur të këtij vendi kam vetëm refuzim, madje edhe neveri. Ata ulërijnë, shajnë, këndojnë vulgaritete në kor dhe u duket sikur po ndryshojnë botën. Asgjë nuk ndryshojnë dhe asnjë shans nuk do të kenë këtu në Shqipëri”, deklaroi Rama.
Duke iu përgjigjur edhe komenteve kritike gjatë transmetimit, kryeministri tha se qeveria nuk do të ndryshojë kursin e saj për shkak të kundërshtarëve.
“Ju përshëndes të gjithëve, se edhe ju shqiptarë jeni. Keni humbur rrugën, por ne nuk ndryshojmë rrugë për rrugën tuaj të humbur. Do të bëjmë çmos t’ju marrim të gjithëve në rrugën tonë”, përfundoi Rama.
