Luka Modric, i cili pak javë para ditëlindjes së tij të 41-të ka arritur marrëveshje për të vazhduar edhe një sezon tjetër me Milanin, raportohet se ka marrë gjithashtu një vendim të rëndësishëm për të ardhmen e tij me kombëtaren e Kroacisë.
Sipas gazetës së njohur italiane “La Gazzetta dello Sport”, mesfushori kroat pritet t’i japë fund karrierës së tij ndërkombëtare në muajin tetor, pas ndeshjes së Ligës së Kombeve ndaj Spanjës, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Poljud” të Splitit më 6 tetor.
“Modric do t’i përkushtohet plotësisht Milanit pas 6 tetorit, kur të zhvillojë ndeshjen e tij të fundit me Kroacinë në takimin e Ligës së Kombeve kundër Spanjës në Split. Vendimin e tij ia ka komunikuar trajnerit Bilic, ndërsa tifozët e Milanit së shpejti do ta mësojnë këtë lajm”, shkruan Gazzetta.
Nëse ky informacion rezulton i saktë, Modric do të luajë vetëm ciklin e ardhshëm të ndeshjeve me kombëtaren dhe katër sfidat e para të grupit në Ligën e Kombeve, të planifikuara nga 26 shtatori deri më 6 tetor.
Përballja ndaj Spanjës në “Poljud” mund të jetë momenti i lamtumirës së tij nga fanella e Kroacisë, përpara më shumë se 30 mijë tifozëve.
Sipas medias italiane, arsyeja që e ka shtyrë Modricin të vazhdojë aventurën me Milanin lidhet me dëshirën për ta mbyllur karrierën në një mënyrë më të mirë.
“Ai nuk dëshiron që imazhet e fundit të një karriere fantastike të lidhen me dështimin për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve me Milanin apo me zhgënjimin e eliminimit në fazën e 1/8-ave të Kupës së Botës ndaj Portugalisë. Ai dëshiron një fund tjetër dhe ndoshta një trofe që do t’ia dhurojë Milanit”, shkruan Gazzetta dello Sport.
Nëse Modric vendos realisht t’i japë fund aventurës me kombëtaren në “Poljud”, ai do të mbyllë një kapitull historik me Kroacinë.
Deri tani, kapiteni legjendar ka regjistruar 202 paraqitje dhe 29 gola me fanellën e kombëtares, ndërsa ka fituar dy medalje në Kupën e Botës.
Në vitin 2018, ai u shpall Lojtari më i Mirë i Botës dhe Lojtari më i Mirë i Botërorit pas një paraqitjeje të jashtëzakonshme me Kroacinë.


